AKTUALITET, 29 Dhjetor 2018, 20:40

Napoli ia del mes drithërimave, rrezikon Pipo Inzagi

Napoli ia del mes drithërimave, rrezikon Pipo Inzagi

Napoli i Karlo Ançelotit ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në Serinë A me një fitore të vuajtur 3-2 ndaj Bolonjës, që shërben për të përforcuar përsëri pozicionin e dytë në tabelën e renditjes së kampionatit. Por skuadra e Elseid Hysajt, i gozhduar në stol nga Ançeloti, nuk e kishte aspak të lehtë të triumfonte ndaj një ekipi që lufton për mbijetesë.

Milik i dha avantazhin napolitanëve, por Santander barazoi shifrat para fundit të pjesës së parë. Ishte përsëri polaku i Napolit që shënoi pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por kur dukej se ndeshja po shkonte qetësisht drejt fundit, Danilo barazoi shifrat me golin e tij. U desh një gjuajtje e shkëlqyer e Mertens nga jashtë zonës, në minutën e 88, që ndeshja të vendosej në favor të Napolit me shifrat 3-2 dhe të çonte skuadrën e Ançelotit në kuotën e 44 pikëve, të cilat gjithsesi janë shumë pak në krahasim me 53 të Juventusit të vendit të parë.

Kjo fitore në fakt mund t’i ketë shërbyer edhe Xhani De Biazit për t’u kthyer në pankinën e një skuadre në Serinë A. Te Bolonja pritet shkarkimi i Pipo Inzagit dhe De Biazi shihet nga të gjithë si kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës.