AKTUALITET, 19 Mars 2019, 08:47

VIDEO/ Vrasja e Jurgen Kurtit, momenti kur mbërrin e fejuara pranë trupit: Nuk kam më shpirt

Rreth orës 22 e 30 të mbrëmjes së djeshme në zonën e stadiumit Dinamo u raportua për një vrasje, ku brenda pak minutash u mësua se viktima kishte qenë Jurgen Kurti, një emër i njohur për mediat dhe për policinë.

Mbi Kurtin mësohet se është qëlluar me breshëri plumbash, në hyrje të banesës së tij, ndërsa ishte duke u kthyer nga palestra.

Autorët ishin të maskuar, pas krimit janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërkohë që trupi i viktimës mbeti për disa minuta në rrugë, ku u krye dhe ekspertiza nga ana e policisë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të kuptuar më shumë rreth lëvizjeve që kanë kryer autorët.

Momente të tmerrshme kanë qenë dhe ato kur në zonë kanë mbërritur familjarët mes tyre dhe e fejuara e Kurtit, Enxhi Ekonomi. Kjo e fundit dëgjohet të qajë me të madhe, dhe kërkon që të mbërrijë pranë trupit të të ndjerit.

“Më lini të kaloj…Jo, o Zot të lutem ai është shpirt, ai është jetë. Nuk kam më shpirt”, ishin klithmat e të dashurës së tij duke vajtuar.

Ndërkohë që në katin e shtatë të pallatit ku u vra Kurti, jetonte dhe nëna e tij, e cila sipas dëshmitarëve kishte vetëm pak minuta që ishte ngjitur në banesën e saj.

Kurti është përfshirë në të paktën dy vrasje, njëra e babait të tij në vitin 2016, dhe tjetra një vit më pas në Durrës, ndërsa viktimë mbeti Agim Arapi.

Vrasja e të atit:

Gjatë vitit 2016 ai së bashku me dajën e tij u akuzuan për vrasjen e babait Artur Kurti.

Jurgen Kurti, në atë kohë u la i lirë nga Krimet e Rënda, pasi daja i tij Leonard Ristani mori përsipër krimin. Në media u pretendua se Artur Kurti ushtronte dhunë mbi nënën e Jurgenit, dhe ai kishte ndërhyrë në mbrojtje të saj.

Vrasja në Durrës:

Agim Arapi dyshohet se u vra për një borxh prej 13 mijë lekësh të reja. 11 prej familjarëve të tij janë shoqëruar në polici, për tu verifikuar dhe për tu marrë në pyetje.

Bashkëshortja e tij Vjollca Arapi është shprehur se ngjarjen e kishte mësuar përmes mediave.

Kurti dukej në pamjet e sigurisë se kishte pasur rol aktiv në rrahjen që i shkaktoi vdekjen Arapit, u la i lirë nga ana e organeve të drejtësisë. Gjykata e Durrës dënoi vetëm Kujtim Ekonomin me 5 vite burg.

Bizneset dhe jeta e luksit:

Kurti mësohet se ka pasur të paktën 10 biznese në pronësi të tij, ç’ka bënte që të pasqyronte jetën e tij luksoze dhe në rrjetet sociale./Fax News