AKTUALITET, 10 Maj 2019, 10:56

VIDEO/ Basha takim me të rinjtë europianë: Negociatat nuk hapen

VIDEO/ Basha takim me të rinjtë europianë: Negociatat nuk hapen


Kryetari i PD, Lulzim Basha, u shpreh sot se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian nuk do të hapen. Lideri demokrat tha se BE nuk mund të pranojë në gjirin e vet një shtet i cili nuk përmbush vlerat dhe parimet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Negociatat nuk hapen. Sepse një vend që nuk respekton zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të pranohet. Shteti i të drejtës është shumë i rëndësishëm, por jo qëllim në vetvete. Protesta jonë, lëvizja jonë, bëhet për të kthyer betejën e bashkëjetesës demokratike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kjo është beteja që do ta fitojmë bashkë me çdo kusht. Prandaj jemi nesër bashkë në orën 18:30 në protestën kombëtare në Tiranë. Po luftojmë për vlerat europiane të Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Deklarata e kryedemokratit u bë gjatë një takimi me 300 studentë europiane të EDS (European Democratic Students), organizata zyrtare e Partive Popullore Europiane (PPE), organizuar në Tiranë.

Basha foli edhe për programin e PD për Arsimin, kur tha se do të dyfishojë buxhetin, zerim të tarifave për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj.

“Do të përdorim çdo vit jo më pak se 30 mln USD për infrastrukturën laboratorike, konviktet. Ia vlen të shpenzojmë gjithçka për studentët.

Studentët shqiptarë janë aleatët më të mirë të demokracisë, lirisë dhe vlerave europiane. Janë një fuqi më vete, një sovran brenda sovranit.

Prandaj me shpresën më të madhe për energjinë, vizionin, kurajon e studentëve shqiptarë, misioni im është të shtroj rrugën që Shqipëria Europiane të qeveriset nga duart e rinisë europiane”, tha Basha.