AKTUALITET, 10 Maj 2019, 09:07

Ishte dënuar me 13 vite burg në Itali, kapet 48-vjeçari në Lezhë

Ishte dënuar me 13 vite burg në Itali, kapet 48-vjeçari në


Një 48-vjeçar që ishte në kërkim ndërkombëtar nga Italia, është arrestuar në Lezhë. Ai është dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Milanos, me akuzat e “Organizatës kriminale” dhe “Trafikut të lëndëve narkotike”.

Policia e Lezhës thotë se arrestimi është bërë me qëllim ekstradimin e 48-vjeçarit me inicialet A.L. Prej kohësh ai dyshohet se fshihej në Lezhë, ndërkohë që sapo ka ardhur vendimi i autoriteteve italiane, është bërë identifikimi i tij dhe vendi ku qëndronte.

Njoftimi i Policisë:

Arrestohet një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar në bashkëpunim dhe me Interpol Tirana, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

• A.L.48 vjeç, banues në Lezhë

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata në Milano/ Itali e ka dënuar këtë shtetas me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”, parashikuar nga nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal Italian.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.