TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Makinën e drejtonte Enea Bekteshi”, tha kështu Petrit Çela, babai i Suel Çelës, të pandehurit që dyshohet se përplasi makinën e Policisë në Elbasan dy vite më parë.
Prej më shumë se 3 javësh, Gjykata për Krime të Rënda është duke dëgjuar dëshmitë e personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërsa askush prej tyre nuk ka arritur të identifikojë personin që drejtonte “Audin”, që përplasi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
I vetmi dëshmitar, i cili pati një përgjigje konkrete për drejtuesin e makinës, ishte Petrit Çela, i cili u shpreh i sigurt para Gjykatës se pas interesimeve të tij, ka mësuar se makina ishte marrë pa leje nga Bekteshi.
Edhe ky i fundit, në fillim të hetimeve ka thënë se ishte ai drejtuesi i mjetit, por ky variant u hodh poshtë nga Prokuroria për Krime të Rënda, që në fund të hetimeve mori të pandehur Enea Bekteshin, Klemend Xhaferrin dhe Marjus Lulajn, ose të njohur edhe me emrin Suel Çela, si personi që ishte në drejtim të makinës “Audi” të blinduar.
Ndërkohë, Petrit Çela gjatë dëshmisë së djeshme shprehu pakënaqësi në lidhje me mënyrën se si ishin bërë kontrollet në biznesin e tij.
Më tej, biznesmeni tha se dera e tregut nuk është hapur, pasi kështu kanë kërkuar policët dhe jo se janë penguar.
DËSHMIA
Unë kam një biznes tregtar 25-vjeçar, jam administrator i vetëm tij. Në lidhje me makinat, kam në pronësi 4 të tilla: një “Audi” të regjistruar në pronësi të firmës, dy “Range Rover”, një në emrin tim dhe një tjetër në emrin e djalit të vogël. Po ashtu, një tjetër “Range Rover” në emër të nuses së djalit të vogël.
Sa i takon Enea Bekteshit dhe Klemend Xhaferrit, janë të punësuar në cilësinë e rojës në biznesin tim.
Në datën 17 tetor 2017, nuk kam pasur dijeni për vendndodhjen e djalit të madh, ndërsa djali im i vogël u nis për në Itali, së bashku me nusen e tij. Ai është nisur drejt Rinasit me “Ranger Rover”, i shoqëruar nga Klemend Xhaferri dhe Ledio Zabeli. Djali im i vogël Mario, rreth orës 15:00 më ka bërë të ditur se ishte në aeroport dhe po nisej për në Itali. Ndërkohë, personat që e shoqëruan, u kam telefonuar dhe ata më bënë të ditur se ishin duke u kthyer në Elbasan dhe se ishin pranë TEG-ut.
Sipas udhëzimeve, makinën që kishin marrë do ta kthenin te parkingu i tregut. Gjatë kësaj kohe, unë kam qenë në banesën time. Ndërkohë, në lidhje me situatën e krijuar te tregu, më ka marrë në telefon një punonjës policie, i cili më ka thënë se duhet të shkoja atje, sepse kishin një problem.
Pas telefonatës jam nisur për të shkuar atje. Edhe pasi shkova unë atje, porta e tregut sërish nuk është hapur, kjo pasi ma kërkoi Policia, sepse ishin në pritje të Forcave Speciale.
Ndërkohë, edhe sipas rojës, vetë policët i kanë thënë se nuk duhet të hapte derën, sepse duhet të vinin Forcat Speciale njëherë. Dera e tregut hapet dhe mbyllet me pult, një pult e kam unë dhe një e ka roja. Ai është i autorizuar të identifikojë personat që kanë punë në treg dhe t’i lejojë ata të hyjnë. Kjo ndodh zakonisht në orët e vona. Do tregoj edhe një tjetër detaj.
Në momentin që isha duke shkuar te tregu, më ka ardhur një mesazh në telefon, me përmbajtjen: “Duhet të shkosh te tregu dhe të fshehësh drogën”.
Për numrin që më ka nisur këtë mesazh, unë kam bërë edhe një denoncim në Polici, por nuk e di se çfarë është bërë me denoncimin tim. Të kthehemi te ngjarja: pasi u hap dera e tregut, Policia ka bërë kontroll të imtësishëm për rreth 3 orë dhe nuk kanë dhënë asnjë shpjegim se çfarë kishte ndodhur. Makinën me të cilën ndodhi përplasja e kisha marrë në përdorim 1 vit apo 6 muaj para.
Këtë makinë e kanë përdorur edhe punonjës të tregut, kur i dërgoja unë diku. Një ditë apo dy ditë para, e ka përdorur edhe djali im i madh që e çoi në servis. Djali im nuk ka qenë aty fare dhe unë nuk kam kontaktuar me të pas ngjarjes. Djali im nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Më vonë unë jam interesuar për atë që ndodhi dhe kam marrë dijeni se makina është drejtuar nga Enea Bekteshi, të cilin e kam hequr nga puna dhe nuk e kam takuar më. Nga interesimi im për këtë ngjarje, kam mësuar se Enea Bekteshi e ka marrë makinën pa leje.
NGJARJA
Mesditën e 18 shtatorit 2017, patrullat e Policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas se në tunelin e Kërrabës, 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë.
Ndërsa në një prej makinave, një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë. Këtë situatë, ky shtetas e kishte marrë si kanosje, tha prokurori.
Gjatë kontrolleve të kryera përpara tregut ushqimor, Policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi.
Policia ua ka bërë me shenjë që të ndalonin dhe personave brenda që të dilnin. Si pasagjerë në këtë automjet kanë qenë Endri Çopja dhe një person tjetër, që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici. Gjatë kësaj kohe, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta policie dhe pas disa minutash, vërehet një makinë tip “Audi” që bën manovra.
Nga kamerat e sigurisë shihet që makina “Audi” bën tentativë për t’u futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e Policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave për të hapur derën e tregut, ajo është hapur me vonesë dhe vetëm pasi ka marrë dijeni shtetasi P.Ç., pronar i tij, i cili ka urdhëruar hapjen e portës.
Vendi është rrethuar nga Forca Policie të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe është bërë ndërhyrja dhe sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj(Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e Policisë.