AKTUALITET, 31 July 2026, 13:45

Vendimi/ 5 vite nga njohja e patentave, Qeveria miraton marrëveshjen me Italinë: Tani emigrantët shqiptarë mund të konvertojnë lejen e drejtimit

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme marrëveshjen me Italinë mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi, duke i dhënë zgjidhje një prej kërkesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë përtej Adriatikut.

Pesë vite nga vendimi i firmosur nga ministrja e kohës Olta Xhaçka për njohjen e patentave shqiptare apo lejeve të drejtimit të automjeteve në Itali, Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë edhe konvertimit të tyre.

Dje, është bërë miratimi në parim i marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.