AKTUALITET, 31 July 2026, 12:15

Reforma Territoriale, Berisha për draftin e PS: Raportin s’e paraqitën në komision, Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur! Ja projekti i PD, me mbi 100 bashki

Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale ishte një raport që s’mund të paraqitej në komision, tha Sali Berisha, por u prezantua në parlament.

Në konferencën për shtyp, kreu i PD tha se Edi Rama kuptoi që ishte “betejë e humbur” dhe “u tërhoq në mënyrë të njëanshme.”

Shkrirjen e 15 bashkive Berisha e quajti qëllim shpopullimi e pasurimi të kryeministrit.

“Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur dhe se reforma territoriale ka ngjallur pakënaqësi të madhe. Kudo që shkuam u mbështetën sugjerimet e PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që s’mund të paraqitej në komision dhe e publikoi, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Europës që 80% e ka male dhe kodra, vetëm për qëllime shpopullimi e pasurimi”, tha Berisha.

Ai përgëzoi edhe banorët e Poliçanit për protestën e tyre në përgjigje të draftit të PS për ‘Territorialen’ duke nxitur edhe banorët e bashkive të tjera të ndjekin të njëjtin shembull.

Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.