AKTUALITET, 31 July 2026, 11:36

'Flota, sipas standardeve të NATO-s'/ Shqipëria merr 40 mjete taktike të prodhuara brenda vendit, Rama: Ditë historike për Forcat e Armatosura

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në eventin për marrjen në dorëzimin nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”.

Edi Rama: Ajo që ishte e shkruar në strategji, sot është e parë me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri, sipas standardeve të NATO-s dhe nga profesionistë shqiptarë, sapo ka filluar të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare. Është një ditë e jashtëzakonshme. Forcat e Armatosura ishin në pikë të hallit, që mbaheshin në këmbë nga pasioni, vullneti, dija dhe patriotizmi, nga ata që qysh në fëmijëri i kanë kushtuar jetën uniformës së ushtarakut, por ishin të braktisur në fatin e tyre.

Historitë e tenderave dhe të blerjes së makinerive, ishte historia e përditshme e shtetit shqiptar në të gjithë institucionet. Sot jemi dëshmitarë që kemi hyrë në një fazë të re, të një Shqipëria e cila nuk është vetëm përdoruese e teknologjisë, por përdoruese e kapaciteteve të teknologjisë, të cilët sapo kanë filluar të japin frytet e para. Jemi këtu falë një strategjie të re, e cila krijoi kompaninë “Kayo”, e cila është një realitet i ri me një sipërmarrje 100% të shteti.

 Ne nuk jemi të prirur të blemë nga jashtë asgjë që mund të prodhojmë këtu, ne nuk jemi të prirur që të mikpresim këtu kompani të huaja që marrin asetet tona dhe gjithçka e çojnë jashtë. Ne nuk jemi të prirur sesi të tjerët fitojnë dhe shteti shqiptar vë në punë vetëm asetet, ne kërkojmë që çdo kompani që vendos të vijë në Shqipëri duhet të jetë palë me shtetin shqiptar.