I riu përfundoi në koma në mënyrë krejt të mistershme vetëm pak pak ditë pasi u kap nga policia për mungesë dokumentacionesh.
Sipas babait të tij, i ftuar në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24 djali i tij ishte i ndershëm, punonte sa për të mbajtur veten dhe është arrestuar në apartamentin klu jetonte bashkë me një shok.
“Nuk e di çfarë kishte ndodhur në një aparatament më poshtë, kur erdhi policia dhe e mori ashtu sic ishte me rrobat e trupit. E morën se nuk kishte letra, pasi leja e qëndrimit si azilant i kishte mbaruar prej disa muajsh. Si azilat ekonomik, përfituar edhe si pjesëtar i komunitetit egjyptian kishte përfituar 1 vit. Më pas nuk ia aprovuan më dhe punonte në të zezë me 20 euro në ditë”, shprehet babai. Ai shton se pasi e dorëzuan në rajonin e policisë ka bërë një telefonatë të fundit me vajzën e madhe, pra me motrën e vet nga numri i rajonit, jo nga numri i tij.
“Ai i tha vajzës time që për dy-tre ditë e kthejnë në Shqipëri sa të bëhen edhe disa shqiptarë të tjerë. Madje, vajzës i kishte thënë që atje nuk paska njerëz të mirë. Më pas, kur kaluan 4-5 ditë telefonuam të njëjtin numër dhe na del policia, na thonë që Florenci ka vdekur”, shprehet babai.
23-vjeçari ndërroi jetë në një spital në Marsejë pasi mjekët vendosën t’i heqin aparaturat që e mbanin në jetë në datën 22 dhjetor.
Arsyet e vdekjes së Florencit janë ende mister. Miqtë e tij dhe familjarët shprehen se 23-vjeçari është vrarë, ndërsa autoritetet franceze insistojnë se Florenci është vetëvrarë.