AKTUALITET, 8 Nëntor 2018, 17:14

Varrimi i Kacifas, protestuesit bllokojnë rrugën në Gjirokastër

Protestuesit të cilët morën pjesë ditën e sotme në varrimin e Kostandinos Kaficas, minoritarit grek që u qëllua për vdekje nga forcat RENEA pas një dyluftimi me armë, kanë bllokuar rrugën nacionale në Gjirokastër. Ata bllokuan rrugën për disa minuta duke shkaktuar trafik të automjeteve.

Pelegrinazhi u nis nga varrezat me flamurin e madh ku shkruhej "Vorio Epiri është Greqi", përshkuan gjithë rrugën dhe dolën më autostradë

Me ndërhyrjen e policisë, protestuesit u larguan duke liruar kështu rrugën.

“Vorio Epiri është Greqi, Kacifas jeton, Kacifas drejton”, me këto thirrje 35-vjeçari Konstandinos Kacifas është përcjellë për në banesën e fundit.

Kacifas mbeti i vrarë pas sulmit mbi policinë shqiptare më 28 tetor. Ditën e djeshme trupi i të ndjerit që ndodhej në Tiranë ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore ka mbërritur në vendin e tij të lindjes, Bularat.

I veshur me rroba ushtarake dhe i mbuluar me flamurin grek, i ndjeri është përcjellë nga qindra banorë të zonës, familjarë dhe shtetas grekë. Arkëmorti ka qendruar i hapur deri në fund.