AKTUALITET, 28 October 2026, 11:20

Tragjike/ Aksident i rëndë në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar, u shtyp nga ruli në kantier

Tragjike/ Aksident i rëndë në Itali, humb jetën

Një i ri shqiptar, Rogert Ajdini, ka humbur jetën në një aksident tragjik në punë, në provincën e Peruxhias, Itali.

Sipas mediave italiane, Ajdini, me origjinë shqiptare dhe banues në Trevi, ishte duke drejtuar një rul për ngjeshjen e asfaltit në një kantier rrugor, kur, për shkaqe ende të paqarta, humbi kontrollin dhe u përmbys. Mjeti i rëndë e shtypi, duke i shkaktuar vdekjen.

Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës mjekësore, por ndërhyrja e tyre nuk mundi t’i shpëtonte jetën të riut. Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

Kryetari i bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës, duke e cilësuar ngjarjen një tragjedi që ka tronditur komunitetin.

Edhe presidentja e Rajonit të Umbrias, Stefania Proietti, shprehu dhimbjen për humbjen e të riut dhe solidaritetin me familjen e tij. Ajo theksoi se siguria në punë duhet të mbetet një përparësi absolute.

Sipas raportimeve të mediave italiane, vdekja e shqiptarit e çon në shtatë numrin e punonjësve që kanë humbur jetën në aksidente në punë në Itali brenda tri ditësh.