AKTUALITET, 28 October 2026, 11:52

Paketa fiskale 2027/ Hiqet taksa e qarkullimit nga nafta dhe benzina, rritet për automjetet, në skemë edhe makinat elektrike

Paketa fiskale 2027/ Hiqet taksa e qarkullimit nga nafta dhe benzina, rritet

Pas 15 vitesh taksa e qarkullimit mund të hiqet nga çmimi i naftës dhe benzinës teksa qeveria vendos ta përfshijë këtë ndryshim në paketën fiskale të vitit 2027.

Nisma synon të lehtësojë barrën për konsumatorët, në një kohë kur çmimet e karburanteve po ndikohen ndjeshëm nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Aktualisht çmimi i çdo litri naftë në Shqipëri rëndohet nga disa taksa. Akciza është rreth 39,4 lekë për litër, taksa e qarkullimit 27 lekë dhe taksa e karbonit 3 lekë. Mbi bazën e përbërë nga çmimi dhe detyrimet e tjera aplikohet edhe TVSH-ja prej 20%.

Por heqja e kësaj takse mund të ulë ndjeshëm çmimin e naftës dhe të lehtësojë barrën për qytetarët të cilët e paguajnë në çdo litër naftë.

Ndërkohë taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër dhe mbi këtë shumë aplikohet edhe TVSH-ja prej 20%. Heqja e saj do të krijonte hapësirë për një ulje teorike të çmimit final të naftës dhe benzinës deri në 32,4 lekë për litër. Por ulja reale do të varej nga transferimi i plotë i efektit fiskal në çmimet e tregtimit.

Kjo lëvizje mund të amortizonte edhe më tej rritjen e pakontrolluara të çmimit të karburanteve që vjen nga tregjet nga ku Shqipëria i importon ato.

Por kjo lëvizje nuk do të krijonte të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit burime për TCh bëjnë të ditur se qeveria mendon ta transferojë tek taksa e automjeteve. 

Duke rritur kështu taksën vjetore të automjeteve, me rritjen e taksës për automjetet e luksit dhe më futjen në skemën e taksimit edhe të makinave elektrike.

Qëllimi është kompensimi i të ardhurave që buxheti i shtetit do të humbiste nga kjo masë duke synuar ruajtjen e nivelit të përgjithshëm të arkëtimeve.

Nëse ndalemi në vitet e fundit buxheti nëpërmjet taksës së qarkullimit gjatë periudhës 2023-2025 ka arkëtuar mesatarisht rreth 21,7 miliardë lekë në vit ndërsa vetëm në vitin 2025 të ardhurat arritën në rreth 24,2 miliardë lekë.

Taksa e qarkullimit u zhvendos në vitin 2011 duke u hequr nga taksa fikse vjetore dhe duke  kaluar drejt konsumit të karburantit. Taksa mbi karburantet u vendos fillimisht në masën 5 lekë për litër duke u rritur gradualisht më pas në 27 lekë në vitin 2015, nivel në të cilin ka mbetur deri më sot.