AKTUALITET, 27 October 2026, 23:12

"Jep me një dorë dhe merr me dorën tjetër!"/ Tomorri për rritjen e taksave: Goditje shumë e madhe për profesionistët e lirë!

"Jep me një dorë dhe merr me dorën tjetër!"/

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në Vizion Plus, shpjegoi se si qeveria nga njëra anë po ul TVSH për produktet e shportës, por pa asnjë konsultim po rrit taksat për të gjithë bizneset, veçanërisht për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë, duke i goditur në masën 21%. 

Tomorri tha se kjo e zhduk edhe efektin e uljes së TVSH për ushqimet, ndërkohë që i jep godtije shumë të madhe personave që kanë NIPT dhe ofrojnë shërbime, si mjekë, berberë, avokatë, etj. 

"Kush janë ndryshimet? Janë katër kolona apo katër taksa që preken. Taksa që preket më shumë është TVSH. Brenda kësaj takse ka katër ndryshime. Qeveria ka ulur TVSH për shportën e produkteve bazë, ushqimet. Jemi në regjim të TVSH uniforme, të njëjtë për çdo produkt dhe shërbim, 20%. Qeveria shqiptare thotë nga 1 janari 2027, TVSH për ushqimet e shportës do të jetë 6%. Por çfarë ndodh? Kjo është një lehtësim, sepse ulja e taksës duhet të sjellë uljen e çmimit të ushqimeve, edhe pse në treg nuk përkthehet asnjëherë e plotë. Por buxheti këtu ka ulur taksën. Kjo ulje kompensohet nga rritje e TVSH për çdo produkt tjetër. TVSH e kemi sot 20% për çdo produkt dhe shërbim, nga 1 janari do ta kemi 21%. 

Për shkak se prek të gjithë produktet, e ka efektin aq të madh sa praktikisht e neutralizon atë uljen që ka bërë gjasme për ushqimet. Pra jep me një dorë dhe merr me dorën tjetër. 

Ndryshimi tjetër që bëhet, është rritja e TVSH për turizmin, për hotelet, nga 6% shkon në 10%. Dhe ndryshimi me pasoja shumë të forta është ulja e pragut ku fillon e paguhet TVSH. Aktualisht bizneset paguajnë TVSH nëse kanë xhiro deri 10 milionë lekë. Qeveria tani thotë nga 1 Janari, çdo biznes me xhiro mbi 5 milionë lekë, paguan TVSH. Kush e merr goditjen më të madhe? Ata që quhen profesionet e lira. Personat fizikë, profesionistët që kanë një NIPT dhe ofrojnë shërbime, avokatë, mjekë, gazetarët freelance, berberët, çdo kategori biznesi që ofron shërbime. Në këtë rast goditja është shumë e madhe. Këto kategori biznesesh nuk kanë shpenzime, ato para që faturojnë i kanë prej punës. Mjeku ofron shërbimin, nuk ble makarona dhe shet oriz që të shkarkojë TVSH. Prandaj TVSH 20% shkon si taksë mbi xhiron. Në çdo 1 mln lekë që do të marrë ai mjek, 21% i shkon TVSH. 

Kolona tjetër është tatimi mbi pagat. Këtu ka dy ndryshime. E para rritet pragu i taksës 23%. Sot taksohet 13% deri në 200 mijë lekë. Nga 1 janari paga do të taksohet 13% deri në 300 mijë lekë dhe mbi kësaj fillon 23%. Ndërkohë shtohet edhe një shkallë tjetër, rrogat që janë mbi 700 mijë lekë, futet fasha 32%. 

Janë dy ndryshime të tjera, që prekin biznesin. Rritja e tatim fitimit që shkon nga 15% në 17%. Dhe dyfishimi i dividentit që nga 8% shkon në 15%. 

Ka lehtësim të ushqimet dhe rritje për çdo gjë tjetër", deklaroi Tomorri.