AKTUALITET, 31 July 2026, 14:14

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi një automjet/ Në pranga 43-vjeçari në Fier, në kërkim një person tjetër pasi bashkëpunoi me autorin

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe

Një 43-vjeçar, Olsi Bakiaj është arrestuar nga Policia e Fierit pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka vjedhur një automjet në lagjen “Konferenca e Pezës”.

Automjeti i vjedhur u gjet i fshehur në banesën e një 46-vjeçari, Ibrahim Duda në Sarandë, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin duke e strehuar bashkë me mjetin. Edhe ky shtetas rezulton se kishte masë “Arrest në shtëpi” për një vepër penale tjetër dhe është shpallur në kërkim.

Fier

Sekuestrohet automjeti i vjedhur, i cili u gjet i fshehur në banesën e një 46-vjeçari që dyshohet se ka ndihmuar 43-vjeçarin, duke e mbajtur në banesë.

Punohet për kapjen e 46-vjeçarit i cili gjithashtu ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Pas kallëzimit të një shtetasi se i kishin vjedhur automjetin e parkuar në lagjen “Konferenca e Pezës”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, operacioni i koduar “Itinerari”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi O. B., 43 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se më datë 27.07.2026, në lagjen “Konferenca e Pezës”, Fier, ka vjedhur automjetin e shtetasit A. Xh., 25 vjeç.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi O. B. e ka kryer këtë vepër penale pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi I. D., 46 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar, duke e mbajtur në banesën e tij, bashkë me automjetin e vjedhur.  Ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhje”. Po punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.