AKTUALITET, 31 October 2026, 14:23

Tensionet para Ministrisë së Arsimit/ Noka reagon ndaj thirrjeve kundër Berishës: PD-në nuk e largon askush nga sheshi

Tensionet para Ministrisë së Arsimit/ Noka reagon ndaj thirrjeve

Refuzimi i një pjese të të rinjve për të pranuar praninë e deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në protestën para Ministrisë së Arsimit ka sjellë reagimin e deputetit demokrat Flamur Noka.

Ky i fundit ia atribuoi Arlind Qorit thirrjet e protestuesve kundër Sali Berishës, në një moment kur dy grupet janë përballur me qëndrime të kundërta për pjesëmarrjen e opozitës në tubim.

Pavarësisht kordonit të krijuar nga të rinjtë dhe thirrjeve “Berisha në burg”, Noka deklaroi se Partia Demokratike nuk do të largohet nga sheshi. Ai gjithashtu paralajmëroi reagim ndaj mbështetësve të Qorit.

“Po ruajmë gjakftohtësinë, ne kemi dalë kundër Ramës, ata kanë dalë kundër opozitës. Këtu PD-në nuk e shkul dot askush nga sheshi, ata qoristat do ta marrin përgjigjen një për një”, u shpreh Noka.

Deklarata e deputetit demokrat vjen në një situatë tensionesh dhe përplasjesh verbale mes mbështetësve të opozitës dhe të rinjve që kundërshtojnë përfshirjen e përfaqësuesve politikë në protestën e tyre.