AKTUALITET, 31 October 2026, 10:44

EMRI/ Vodhi katër biznese në Fier brenda 10 ditësh, arrestohet 30-vjeçari me precedentë penalë

EMRI/ Vodhi katër biznese në Fier brenda 10 ditësh, arrestohet

Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të kryera në këtë qytet. Në pranga ka rënë shtetasi Ysen Driza.

Sipas policisë, i riu dyshohet se gjatë periudhës 19-28 tetor ka vjedhur, duke përdorur thyerjen, katër biznese në Fier. Gjatë vjedhjeve, ai ka marrë shuma parash, dy telefona celularë, si dhe pajisje të ndryshme, përfshirë serverin e sistemit të kamerave të sigurisë.

Gjithashtu, nga të dhënat policore rezulton se 30-vjeçari ka precedentë penalë në fushën e vjedhjes.

Njoftimi i policise: 

Fier/ Finalizohet operacioni i koduar “Precedenti”, zbardhen 4 raste të vjedhjes me thyerje në biznese të ndryshme, gjatë muajit tetor.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, i shpallur në kërkim për vjedhje.

30-vjeçari, me precedent kriminal në fushën e vjedhjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në kallëzimet e disa qytetarëve, për vjedhje në bizneset e tyre, gjatë natës, kanë organizuar punën për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i punës së shpejtë hetimore u finalizua operacioni i koduar “Precdenti”, gjatë të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi Y. D., 30 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për vjedhje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 19.10.2026 – 28.10.2026, ka vjedhur me thyerje, në 4 biznese në qytetin e Fierit, shuma parash, 2 celularë dhe pajisje (serverin e kamerave).

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.