AKTUALITET, 2 Gusht 2019, 11:55

Tenderi për uniformat/ Lleshaj replikë me PD: Shpifje, s’jam fara juaj, nderi, pasuria ime

Tenderi për uniformat/ Lleshaj replikë me PD: Shpifje, s’jam


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj replikon në distancë me lidershipin e Partisë Demokratike, në lidhje me debatin për tenderat e uniformave të Policisë.

PD akuzon Ministrinë e Brendshme se po favorizon kompaninë “Gjergjegji”, për të skualifikuar nga tenderi me vlerë 30 milionë euro të gjithë kompanitë e tjera.

Kjo ka sjellë revoltimin e ministrit të Brendshëm, i cili hedh poshtë akuzat e PD dhe paralajmëron se do t’i padisë të gjithë ata që shpifin për figurën e tij dhe punën e policisë.

Reagimi i plotë i Sandër Lleshajt në rrjetet sociale:

Drejtuesit e PD-së vuajnë një krizë të thellë. Ata besojnë sinqerisht se kushdo që ka një pushtet vjedh, pasi ata vetë kanë vjedhur sa herë kanë patur një mundësi për ta bërë këtë. Në vijim të kësaj logjike mjerane, përmes një deklarate dje, ata kanë parashikuar një vjedhje që do të ndodhë në të ardhmen, kur të përzgjidhet fituesi i një procedure prokurimi për uniformat e Policisë së Shtetit.

Duke hedhur poshtë me neveri gënjeshtrat e turpshme që mbajnë logon e PD-së, më mbetet t’ju them autorëve të tyre:

1) Sandër Lleshaj nuk i përket farës tuaj.

2) Sandër Lleshaj ka dhe do të ketë vetëm një pasuri në jetën e tij: Nderin e tij, të familjes, të të parëve të tij dhe të Atdheut të tij.

3) Sado të ëndërroni, Sandër Lleshajn nuk do ta keni kurrë të ngjashëm me ju, as në vjedhje, as në vrasje dhe as në turpe të tjera.

Mund të duket naivitet nxitimi juaj për të parashikuar një vjedhje në të ardhmen. Por, në të vërtetë, kjo është një përpjekje djallëzore për të ndërhyrë dhe ndikuar në një procedure publike dhe të hapur ndërkombëtare. Dhe, pa dashur të parashikoj të ardhmen, më duhet të garantoj drejtuesit e PD, se:

1) Vjedhja e dëshiruar dëshpërimisht prej jush nuk do të ndodhë.

2) Tentativa juaj për të ndërhyrë në procesin e prokurimit të uniformave të Policisë së Shtetit nuk do të ketë sukses.

3) PD do të duhet të mbrojë përpara një gjykate poshtërsitë me të cilat ka ndotur opinionin publik.

4) Çdo shumë financiare, që do të rezultojë si zhdëmtim pas procesit gjyqësor, do të shkojë në favor të familjeve të policëve të rënë në detyrë.