AKTUALITET, 2 Gusht 2019, 09:30

Aktorja Ema Andrea i kërkon llogari Ramës: Kush mban përgjegjësi për rrënimin e teatrit?


Në vazhdën e postimit në profilin e tij për artistët që duan teatër të ri (pa specifikuar nëse duan a jo shembjen e të vjetërit) kryeministri Rama, publikoi edhe një qëndrim të Ema Andreas.

Por ajo iu kundërpërgjigj duke kërkuar llogari se kush do të mbajë përgjegjësi që Teatri Kombëtar është lënë të rrënohet.

“Do kisha dashur të ishin në këtë faqe, emrat e shume artistëve shqiptare, (që nuk jetojnë jashtë Shqipërie) për sukseset e tyre, për veprat e tyre, jo aq për vëmendjen Tuaj personale, sa për besimin, se meritojnë mirënjohje institucionale, për vlerën e veprës së tyre e cila do ndërtojë kujtesën e së ardhmes.

Do kisha dashur të vlerësohen përpara se të vdesin. Por morëm vëmendjen Tuaj, për këtë rast. Tuajën dhe të atij publiku qe nuk ka qenë asnjëherë në Teatër!

E meqë kemi edhe vëmendjen Tuaj, edhe të atyre që nuk kanë qenë asnjëherë në teatër, me lejoni të përsëris: të mbajë/në përgjegjësi kushdo ka lejuar që godina të rrënohet e të rrezikojë jetën e artistëve, të cilët kanë krijuar në kushte aspak dinjitoze dhe spektatorëve të teatrit Do të ndodhe vallë?", i shkruan ajo poshtë postimit.

Aktorja tha se beson që shumë shpejt do të kemi në këtë faqe, edhe opinionin publik të drejtuesve te TK, të cilët mbartin vlerat e përgjegjësive që Ju i keni besuar!

“Dhe, Po, ëndërroj një teatër të ri, 10 teatro të rinj Kombëtarë e alternativë, ashtu si një piktor ëndërron një mur pa lagështirë për veprat e tij, por kjo nuk mjafton!

Duhet një sistem ku artistët të kenë hapësira krijuese e konkurruese!

Një sistem përmes të cilit artisti të mund të jetojë me dinjitet me profesionin e tij, i pavarur nga listat e të gjitha niveleve! Flm!”, ka shkruar ajo.