SPORT, 19 Shkurt 2022, 10:37

Nga dëmtimet tek e ardhmja në kinematografi, rrëfehet “aktori” Ibra: Kur të kthehem do të shembet stadiumi

Nga dëmtimet tek e ardhmja në kinematografi, rrëfehet
Zlatan Ibrahimoviç

Zlatan Ibrahimoviç më në fund ka thyer heshtjen. I dëmtuar prej thuajse një muaji, suedezi po punon për t’u riaftësuar nga një problem në tendinën e Akilit. Suedezi ka marrë pjesë në një emision radiofonik, ku ka komentuar shumë tema, mes të cilave edhe momentin e tërheqjes nga futbolli.

Ta nisim me autobiografinë tuaj. Si po ecën “Adrenalina”?

Më vjen mirë për rezultatin sepse është një pjesë e historisë sime. Reagimi i njerëzve ka qenë pozitiv dhe ky fakt më bën sa të lumtur edhe krenar. Kisha dëshirë të flisja për të tashmen time dhe ju e dini që kur unë vendos të flas, e bëj pa problem. Fundja nuk kam asgjë për të fshehur dhe në çdo gjë që bëj e lidh me adrenalinën. Në javët e fundit nuk po luaj dhe kam gjetur mënyra të tjera për t’i dhënë adrenalinë vetes.

Si po shkon riaftësimi nga dëmtimi?

Dëmtimet janë gjithmonë problematike. Në karrierën time nuk është se jam ndalur shpesh, por në vitet e fundit po më ndodh të dëmtohem. Sidoqoftë, dëmtimet nuk më ndalin dot dhe do të jem unë ai që do të vendos nëse do të tërhiqem dhe kur. Shumë njerëz mendojnë se kam mbaruar si sportist, por fjalët e tyre më karikojnë.

Raportin me arbitrat si e keni?

Në fillimet e mia e kisha të vështirë të kontrollohesha dhe shpesh më ndodhte që të bërtisja e t’i sulmoja. Tashmë jam më i pjekur dhe i menaxhoj më mirë situatat e tensionit. Edhe arbitrat e kanë vënë re që kam ndryshuar dhe kanë filluar të sillen ndryshe me mua.

Sivjet më e ekuilibruar. Titullin do ta fitojë ekipi që do të tregohet më i fortë gjatë shkurtit dhe marsit. Për shumë ekipe ka impenjime në kupat e Europës dhe gjërat mund të ndryshojnë.

Sa ka ndryshuar ndër vitet kampionati italian?

Kur unë erdha për herë të parë kishte shumë kampionë dhe niveli ishte më i lartë. Sot mbizotëron kolektivi, ndaj e them me bindje se nëse arrij të fitoj me këtë Milan do të më shijonte më shumë se dhjetë vjet më parë.

Frazë e fortë. Çfarë do të thoshte miku juaj Galiani?

E dua shumë. Kur isha te Barcelona nuk isha i lumtur dhe ai më telefonoi duke më kërkuar te Milani. Erdhi në shtëpinë time dhe nuk u largua deri sa i premtova që do të vija te Milani. Është zotëri burrë dhe së bashku me Berluskonin më bënë të lumtur. Aventura jonë ishte e bukur dhe fituam diçka. Kur më shiti te PSG-ja u mërzita shumë e nuk i fola për tetë muaj. I kisha thënë që të shiste këdo nga skuadra, por ju mua. Ai më shpjegoi situatën dhe bëri me kokën e tij. Në ato javë isha shumë i trishtuar.

Përse u kthyet në Europë pas aventurës amerikane?

Në Amerikë shkova sepse doja të merrja veten nga një dëmtim i rëndë. Atje gjërat shkuan mirë dhe nuk doja të kthehesha, megjithatë Mino (menaxheri) me manipuloi duke më bindur të pranoja Milanin. Nuk ishte në planin tim, por Europa kishte ndaluar dhe kishte nevojë për tërmetin “Zlatan”.

Cilat janë planet për të ardhmen?

Besoj në punën time. Nuk e di ende për sa kohë do të vijoj karrierën megjithatë mundohem gjithmonë të tejkaloj kufijtë e mi. Fundja, përse të jesh normal kur mund të jesh më i forti? Për të ardhmen nuk kam marrë asnjë vendim, ndaj të shohim.

Jeni kureshtar për ndonjë fushë të veçantë?

Për shumë. Për shembull dua të bëhem aktor. Duket se më jep adrenalinë, megjithatë asgjë nuk do të jetë si futbolli. Di që dua të bëj diferencën në çfarëdo që do të zgjedh të bëj. Kam disa projekte, por aktualisht jam i përqendruar të futbolli. Kur të kthehem në fushë do të shembet stadiumi.