TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të qartësojmë diçka pa nisur diskuti min. Ajo ndaj Liverpulit nuk është ndeshja më e mirë e Lautaros me fanellën e Interit. Përkundrazi, paaftësia për të shënuar e argjentinasit të mërkurën ndikoi më shumë se kurrë. Vështirësitë e “Demit” për ta dërguar topin në rrjetë certifikohen nga statistikat.
Në dhjetë ndeshjet e fundit numri 10 zikaltër ka gëzuar vetëm një herë. Bëhet fjalë për golin e shënuar në Superkupën e Italisë kundër Juventusit. Champions-i është shkretëtirë në aspektin realizues. Shtatë prezenca dhe asnjë gol. Edhe kur Lautaro shënon, nuk feston ekipi, siç ndodhte ndaj Realit në nëntor të 2020-ës në disfatën e Interit në Madrid.
Gjërat nuk është se po shkojnë më mirë në kampionat. Pas 11 “firmash” në 18 javët e para, 24-vjeçari ka zeruar rendimentin. Asnjë gëzim në gjashtë daljet e fundit që bëhen shtatë nëse përfshijmë Champions-in. Zero asiste, zero gola në 7 prezenca e shndërrojnë detyrimisht në problem.
NERVOZIZMI I BOMBERIT – Pas volumit të lojës së prodhuar nga e gjithë skuadra, si Xheko dhe Lautaro dështuan të konkretizojnë ndaj Liverpulit, duke dhënë një tjetër dëshmi që kjo dyshe nuk po funksionon. Kur në krah kishte Lukakun, numri 10 ishte më produktiv dhe e kishte mësuar përmendësh rolin e tij, por ndërsa boshnjaku ka një tjetër filozofi loje, pasojat po i vuan argjentinasi.
Statistikat janë të qarta, çka ka bërë që edhe Simone Inzagi të preferojë gjithmonë e më shpesh Aleksis Sançezin. Kiliani ishte i avantazhuar për formacionin edhe ndaj Liverpulit, por orët e fundit bënë që trajneri të preferonte përsëri numrin 10.
Në kuadër të kampionatit, Interi duket sikur nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndryshojë hierarkinë e repartit ofensiv, me 33-vjeçarin Sançez që mund t’i marrë argjentinasit vendin e titullarit, një goditje kjo e rëndë jo vetëm për këtë të fundit, por mbi të gjitha edhe për klubin, që për të ka bërë një nga sakrificat më të mëdha ekonomike të viteve të fundit: rinovimin e kontratës për 6 milionë euro, që e ka bërë një nga më të paguarit e skuadrës.
ZËVENDËSIMI – Situata e Lautaros është peng edhe e lëvizjeve taktike. Simone Inzagi prej disa ndeshjes e zëvendëson mes minutës së 60 dhe 70. Psikologjikisht, fakti që do të dalë nga fusha, e rëndon sulmuesin i cili po e vuan jo pak këtë lloj vendimmarrje të trajnerit.
Sikur të mos mjaftonte alternimi me Sançezin, Interi po vuan edhe “varfërinë” e stolit. Në Serinë A, alternativa si Darmian apo Di Marko mund të mjaftojnë, ndërsa kundër Liverpulit u pa se gjithçka që zikaltrit ofruan si ndryshim ishte thjesht barut i lagur.