SPORT, 2 Prill 2022, 16:52

Ukraina, trajneri Petrakov: I urrej rusët, qëndrova në Kiev për t’i vrarë

Ukraina, trajneri Petrakov: I urrej rusët, qëndrova në Kiev
Oleksandr Petrakov

Në një intervistë për "The Guardian’" Oleksandr Petrakov, trajneri i kombëtares së futbollit të Ukrainës, flet për zgjedhjen e tij për të qëndruar në Kiev për të luftuar.

“Ka vetëm urrejtje. Nuk është zemërim, por njerëzit urrejnë ata që pushtuan tokën e tyre – tha trajneri 64-vjeçar -. Do të na duhet kohë për t’u qetësuar, tani për tani është thjesht urrejtje. Ata kanë shkatërruar qytetet tona”.

Trajneri ka vendosur të mos largohet nga Kievi, por të bashkohet me bashkatdhetarët e tjerë për të zmbrapsur pushtimin rus.

“Familja ime më tha të shkoja në Ukrainën perëndimore, por unë refuzova. Thashë me vete: Unë jam nga Kievi, nuk mund të largohem. Nuk e mendoja se do të ishte e drejtë, sepse njerëzit duhet të mbrohen dhe nuk mund të shpëtojnë.

Mendova, nëse vijnë në Kiev, do të marr një armë dhe do të mbroj qytetin tim. Unë jam 64 vjeç, por e ndjeva se ishte normale ta bëja këtë. Mendoj se mund të vrisja dy ose tre armiq”, tha ai.

Pavarësisht luftës, Petrakov po përpiqet ta sjellë Ukrainën në Kupën e Botës në Katar. Kombëtarja e tij duhej të luante ndeshjen e playoff-it kundër Skocisë më 24 mars, por ndeshja është shtyrë për në qershor.

Federata e Futbollit të Ukrainës po kërkon të organizojë grumbullime jashtë vendit, ndoshta në Angli, dhe ndeshje miqësore me disa klube  evropiane.

“Ne mund të luajmë në Wembley, kundër një klubi londinez, për shembull. Mund të jetë një test i mirë miqësor, një përgjigje për ushtrinë ukrainase si dhe një ndeshje përgatitore për sfidën kundër Skocisë”, tha Petrakov.