TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Liga Unike vendosi dy ditë më parë që të pezullojë aktivitetin për Meshkuj, ndërsa do të vazhdojë me zhvillimin e aktivitetit në konkurrencën e femrave. Vendimi i Bordit Drejtues të Ligës Unike erdhi pas takimit disa orësh me klubeve shqiptare në Tiranë, në prani edhe të dy presidentëve të Federatave themeluese të kësaj lige, Shqipëri dhe Kosovë. Sipas Ligës, për shkak të tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës, është i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë, prandaj Bordi Drejtues i Ligës Unike ka marrë vendim pezullimin e garës dhe do të vlerësojë opsionet e ristrukturimit të saj.
Komiteti Olimpik Shqiptar (KOKKSH) reagoi, duke thënë se ky vendim i njëanshëm do të ndikojë në sportin profesionist të të dy shteteve, sportistët, publikun dhe dy federatat përkatëse.
Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, tha se nga kjo situatë të gjithë dalin të humbur, veçanërisht basketbolli i Shqipërisë që ka shumë për të mësuar prej atij të Kosovës.
Liga Unike u themelua zyrtarisht më 10 Shtator 2020. Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarët e federatave përkatëse të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, Arben Fetahu, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, përkatësisht Avni Ponari, Kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në këtë ngjarje të rëndësishme në Tiranë morën pjesë personalitete të rëndësishme të politikës e të sportit të të dyja vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Valdete Bajrami dhe Kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel. Liga Unike në basketboll ishte i pari sport në mes dy vendeve që krijonte një ligë të përbashkët të kësaj natyre me qëllim realizimin e idesë së hershme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve.