TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Xhani Infantino ngre tonin pak orë para fillimit të Kupës së Botës dhe nuk përdor lojëra fjalësh gjatë konferencës inauguruese për shtyp të turneut në Doha. Numri 1 i FIFA-s i është përgjigjur kritikave të ashpra për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe diskriminimin në Katar. “Sot ndihem katariot. Sot ndihem arab. Sot ndihem afrikan. Sot ndihem homoseksual. Sot ndihem me aftësi të kufizuara. Sot ndihem si një punëtor emigrant”, deklaroi presidenti i FIFA-s, duke prekur të gjitha temat që përfunduan në shënjestër të qeverive, qytetarëve dhe shoqatave në procesin e përafrimit të Katar 2022.
“Sigurisht që nuk jam katariot, arab, emigrant, homoseksual, invalid – vazhdoi ai -. Por e di se çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar, e di se çfarë do të thotë të jesh i huaj në një vend të huaj. Kur isha fëmijë, më ngacmonin sepse kisha flokë të kuqe. Sepse isha italian dhe nuk flisja mirë gjermanisht. Por ti e pranon sfidën, përpiqesh të bësh miq, kontakte të reja. Fyerjeve nuk u përgjigjesh me ofendime – vazhdoi Infantino –. Sot jam krenar për FIFA-n, për këtë markë në xhaketën time, për këtë Botëror. Do të jetë një ngjarje e bukur, më e bukura ndonjëherë. Është një kampionat botëror i hapur nga kritika të forta për vendin që e mirëpret”.
Pastaj, Infantino dha disa konsiderata për 6500 vdekjet, në ndërtimin e stadiumeve: “Ajo që po ndodh tani është thellësisht, e padrejtë. Kritika ndaj Kupës së Botës është hipokrite. Për atë që ne evropianët kemi bërë në 3000 vitet e fundit, duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme, para se t’u japim mësime morale të tjerëve. Këto mësime morale janë thjesht hipokrizi. Ne në Evropë mbyllim kufijtë, krijojmë të huaj të paligjshëm. Sa njerëz vdesin duke u përpjekur të hyjnë në Evropë? Evropa duhet të bëjë si Katari, të krijojë kushte ligjore për punëtorët e huaj. Sigurisht që reformat duan kohë, vite dhe vite. Por kushdo që është këtu në Katar, si punëtor i huaj, është ligjërisht i tillë dhe ka të gjithë ndihmën, duke përfshirë edhe kujdesin shëndetësor. Në Katar, kushdo, i çdo feje, i çdo orientimi seksual është i mirëpritur. Ndër kompanitë e mëdha që fitojnë miliarda në Katar, sa e kanë zgjidhur çështjen e fatit të punëtorëve migrantë? – vazhdoi ai -. Asnjë, sepse një ndryshim në legjislacion është i barabartë me fitime më të ulëta. Por ne e bëmë atë. Përse askush nuk e njeh këtë përparim?”.
Presidenti më pas shtoi se e di se çfarë është diskriminimi, pasi ka qenë viktimë e tij: “Unë jam një fëmijë i punëtorëve emigrantë. Prindërit e mi kanë punuar shumë dhe në kushte të vështira. Mbaj mend se si trajtoheshin emigrantët në kufi, kur donin trajtim mjekësor. Kur u bëra president i FIFA-s, doja të shihja strehimin e punëtorëve të huaj këtu dhe u ktheva në fëmijërinë time. Por ashtu si Zvicra që gradualisht u bë shembull i integrimit, kështu do të jetë edhe Katari”.