TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tirana nuk ndalet! Bardheblutë mposhtën me rezultatin e ngushtë 1-0 skuadrën e Dinamos dhe çojnë në 13 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë, që nesër pret Teutën.
Duel i fortë u zhvillua në “Elbasan Arena”, ku të dyja skuadrat tentuan të marrin tri pikët. Dinamo ishte më konkrete në fillim të ndeshjes dhe në minutën e 13-të goditi shtyllën pingule.
Dinamo vijoi me sulmet. Rimal Haxhiu provoi me një gjuajtje të pasaktë, kurse në minutën e 23-të Lilaj kishte një mundësi të artë brenda zone. Bekaj bëri mrekullinë dhe e ndali.
Nga goditja e këndit që u fitua erdhi goli nga Ali Samake, por VAR çoi dëm festën e Dinamos. “Xholi” i bluve e kishte prekur topin me dorë para se ta goditje dhe goli ishte i pavlefshëm.
Katër minuta më pas Tirana kishte mundësinë më të mirë. Xhixha nxori Devid të vetëm me portierin, por braziliani e çoi topin ngjitur me shtyllën pingule. Në 45 minutat e para pati tentativa nga Ibraimi e Limaj, që nuk ia dolën të shënojnë.
Me rezultatin 0-0 skuadrat shkuan drejt dhomave të zhveshjes.
Tirana e kishte të qartë që duhet të shënonte dhe ia doli në minutën e 69-të. Xhixha asistoi për Devid dhe braziliani këtë herë nuk gaboi, duke i dhënë epërsinë kryesuesve të Superiores. Dinamo në minutën e 86-të fitoi një penallti, me VAR, për një prekje të topit me dorë nga Zhivanaj.
Kapiteni Agim Ibraimi u vu përballë Bekajt dhe ky i fundit e ndali lojtarin e Dinamos dhe i dha mundësinë Tiranës për të marrë një tjetër fitore, që e afron edhe më shumë drejt titullit kampion.

