TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“E pabesueshme”, termi i duhur për të përkufizuar rrugëtimin e Shtutgartit në Bundesligë pas 7 javësh, vendi i dytë në kuotën e 18 pikëve, 1 më pak se Leverkuseni kryesues dhe 1 më tepër se kampionët e Bajernit.
Por kjo është vetëm maja e “ajsbergut” nëse u referohemi statistikave të “heroit”, Serhu Guirasi, i cili regjistron të dhëna mbresëlënëse, të cilat kanë surprizuar të gjithë kritikët e lojës më popullore në planet. Personazhi në fjalë numëron 13 gola me Shtutgartin pas 7 raundesh kampionat, rekord në ligën gjermane dhe i pakapshëm për rivalët në “top-5” ligat kryesore të Europës.
SHIFRAT-Në total Serhu Guirasi është inkuadruar me Shtutgartin në 8 takime e ku kuota e përfshirjeve në gol përkon me 16 të tilla, 14 finalizime dhe 2 asiste, mesatarisht 27-vjeçari nga Guinea merr pjesë në 2 gola për ndeshje. Ai numëron 2 tregolësha në vigjilje të sezonit aktual, e fundit në përballjen me Maincin.
Por nëse u referohemi golave total të klubit ku aktivizohet dhe pjesëmarrjes së tij në të, prezanton tablo më të qartë se me çfarë nuhatësi të frikshëm goli kemi të bëjmë. Nga 26 gola të Shtutgartit në të gjitha kompeticionet ku ata kanë shkelur në ciklin 2023-2024, 16 janë “gatuar” nga Guirasi, ose e thënë më saktë, 61.6%.
Edhe pse duket disi e çuditshme, marrë në konsideratë klubin ku luan dhe reputacionin e kufizuar në kontinentin e vjetër, panorama e mësipërme e ka ngritur në piedestal, aq sa Real Madridi, Mançester Siti, Çelsi e më gjerë, janë vënë në garë për të “rrëmbyer” në merkaton e dimrit. Detaj interesant është se 37.5% e golave nga Serhu Guirasi shënohen në harkun e minutave 77′-90’+, konkretisht në 6 raste.
REKORDI DHE ECURIA – Guirasi e ka nisur me gol që në takimin debutues të këtij sezoni të ri, bëhet fjalë për raundin e parë të Kupës së Gjermanisë ndaj Balingenit, e ku 27-vjeçari afrikan shënoi dhe asistoi në fitoren 0-4. Më pas ai konkretizoi dopietë në suksesin 5-0 kundër Bohumit, për të ruajtur trendin pozitiv edhe ndaj Lajpcigut.
Më tej “pyka” e Shtutgartit nuk u ndal, duke tundur kuadratin e Fraiburgut (2 gola) me tripletë karshi Maincit, 2 finalizime dhe asist me Darmshtadin, teksa ballafaqimi me Këlnin mbetet i vetmi takim ku futbollisti me numër “9” në “MHPArena” nuk e dërgoi dot topin në rrjetë. Tregolëshi me Volfsburgun e ka ngjitur në 13 gola pas 7 javësh, askush si ai në Europë, e cila koincidon edhe me rekord në kampionatin gjerman.
RIVALËT DHE RILINDJA E BUNDESLIGËS-Nëse u referohemi “top-10” shënuesve më të mirë nga 5 ligat kryesore të Europës, rezulton se 5 prej tyre vijnë nga Bundesliga, tregues se rivaliteti në kampionatin gjerman rreth golave ka kapur majat. Guirasi mban “kurorën” e goleadorit me 13 gola pas 7 ndeshjesh, i ndjekur nga Lautaro Martinez i Interit në shifrën e 10 golave. Herri Kejn mbyll shkallën më të ulët të “podiumit” me 8 gola.
Xhud Bellingam dhe Erling Haland kanë të njëjtën sasi finalizimesh, por bomberi i bavarezëve qëndron më lart për shkak të asisteve (4). Viktor Bonifejs dhe Jonas Uind pozicionohen respektivisht në vendin e 6-të dhe 7-të, për t’i lënë radhën treshes së fundit, e cila ka sërish në përbërje lojtarë të ligës gjermane, Kilië Mbape 7 gola, Leroi Sane 6 gola, sikurse Aleksandër Isak.