SPORT, 9 Tetor 2023, 15:51

Realizoi një perlë ndaj Dinamos, Zejnullai: Egnatia super, ja pse goli im shkon për Bledar Lilën

Realizoi një perlë ndaj Dinamos, Zejnullai: Egnatia super, ja pse goli

Egnatia mundi Dinamon me rezultatin e pastër 3-0 në javën e 8-të, të Abisnet Superiore. Njeriu që mori vëmendjen në këtë sukses të rrogozhinasve rezultoi Arbin Zejnullai, i cili realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit.

Mesfushori tetovar tregon emocionet e këtij supergoli dhe atmosferën tek Egnatia.


Zejnullai, realizuat një gol fantastik kundër Dinamos, si e përjetuat?

Jam shumë i lumtur që shënova dhe skuadra ime arriti të merrte 3 pikë. Çdo gol shijohet, pasi është një emocion i madh, por ky finalizim më entuziazmoi pafund, pasi e kam testuar shpeshherë edhe në stërvitje.Golin ia dedikuat Bledar Lilës, a ka ndonjë domethënie ky gjest?

Festova me Bledin, pasi i pata thënë që nëse do të më vijë mundësia do ta gjuaj unë goditjen e dënimit dhe do të shënoja. Kështu ndodhi dhe mendova ta ndaj me të gëzimin e këtij goli.

Sa e lehtë është të tregoni cilësitë që ju i dispononi kur në repartin e mesfushës keni dy lojtarë si Aleksi dhe Fernando?

Ndihem mirë me ta në fushë për shkak se ne përpiqemi të plotësojmë njëri-tjetrin. Aleksi më flet gjithmonë dhe sigurisht më ndihmon, pasi ka mbi supe eksperiencën e duhur. Ndërkohë, Fernando është një lojtar i kompletuar dhe ke çfarë mëson prej tij. Ndihem i privilegjuar që luaj me ta edhe pse duhet theksuar se ekipi ka pafund cilësi në çdo repart.

Referuar kualiteteve të Egnatias dhe paraqitjeve të ekipeve rivale këtë sezon, a besoni te titulli kampion?

Nuk është mbyllur ende faza e parë e kampionatit dhe natyrisht është herët për të folur për titullin kampion. Objektivi ynë primar është “Final 4”, por kjo nuk hedh poshtë faktin se skuadra do të punojë maksimalisht të ruajë pse jo edhe kreun e klasifikimit.

Jeni padiskutim një nga lojtarët më të dashur për tifozerinë rrogozhinase, keni një mesazh për ta?

Tifozët kanë qenë dhe janë burim force dhe frymëzimi për mua që në momentin që u transferova tek Egnatia. Ata janë gjithmonë mbështetja jonë maksimale dhe i bëj thirrje që të na përkrahin gjithmonë, pasi ne futemi çdo ndeshje në fushë për t’i lumturuar ata.