TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sulmuesi i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle, Ansu Fati, ka dhënë një intervistë për revistën franceze “France Football” ku ka rrëfyer jetën e tij, që nga fillesat në Guinea-Bisau e deri te fama me klubin katalanas.
Ansu Fati, që shihet si e ardhmja e Barcelonës dhe e Spanjës, ka kujtuar origjinën e tij në vendin afrikan dhe hapat e parë në Spanjë, aty ku mbërriti në moshën 6-vjeçare në Sevilje.
“Unë u rrita me nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia, kushërinjtë e mi dhe gjyshen nga nëna ime në një shtëpi në qytezën e Sao Paolos, dikur në veriperëndim të Bisaut, kryeqyteti i Guinea-Bisaut. Por, meqë isha shumë i vogël, nuk mbaj mend shumë. Kohët e fundit, i kërkova një shoqeje të motrës sime të më dërgonte një video të rrugës ku jetonim dhe nuk ishte aspak si imazhi që kisha ruajtur! Fillova të luaja për herë të parë futboll në rrugë me kushërinjtë e mi kur isha 3 vjeç. Në vendin tim, fëmijët e kanë këtë liri pothuajse që kur mund të ecin! Dikur luanim këmbëzbathur. Ata më të privilegjuarit kishin sandale plastike. Shpesh nuk kishim top dhe detyroheshim të improvizonim, duke bërë topa me lecka e çorape. Lumturoheshim kur na jepnin ndonjë top llastiku dhe kur na çahej dëshpëroheshim”, kujton sulmuesi.
REALI DHE BARCELONA – Por jeta e tij do të merrte një rrjedhë tjetër, kur 6 vjeç u zhvendos në Spanjë. Aty nisi të angazhohej në ekipe të rregullta, duke qenë pjesë e Seviljes. Pikërisht nga Sevilja do të bënte dhe hapin e madh në karrierë. Ndonëse nuk ishte e lehtë, sepse në duar kishte dy zgjedhje, Reali i Madridit dhe Barcelona! Për “France Football” ai ka treguar dhe arsyen përse zgjodhi katalanasit para Madridit.
“Përpara se të nënshkruaja për Barcelonën u provova te Reali i Madridit. Kujtoj se asokohe në Madrid klubi nuk kishte një njësi akomodimi për lojtarët e rinj. Pasi e diskutova me babanë, vendosëm se zgjedhja më e mirë do të ishte Barcelona. ‘La Masia’ ishte më e mira për futbollin dhe për edukimin tim”, tha ai. Fati gjithashtu ka kujtuar se mbërriti në akademinë e Barcelonës në vitin 2012, pikërisht kur ishin ngritur zyrat e reja të “La Masia”-s. “Ambientet ishin moderne, kishte gjithçka. Po shihja gjëra që nuk i kisha parë më herët. Jeta atje ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, shtoi Ansu Fati.
DEBUTIMI – Ansu natyrisht kujton dhe ditën kur u rekrutua për t’u stërvitur me ekipin e parë. “Kur më thirrën për t’u stërvitur me ekipin e parë, menjëherë thirra babain tim dhe mendoj se ishte e vetmja herë në jetën time që ai nuk më përgjigjej në telefon. Në mungesë të tij iu afrova nënës sime, e cila e kuptoi menjëherë kur më dëgjoi të qaja dhe filloi të bërtasë. Kur hyra në dhomat e zhveshjes dhe pashë Luisin (Luis Suarez), Leon (Lionel Mesi) dhe të gjithë të tjerët, nuk mund ta besoja”, tha Fati që debutimin si “Blaugrana” e pati më 25 gusht 2019 në fitoren 5-2 ndaj Betisit.