SPORT, 3 Maj 2022, 23:50

Milani dhe Interi “falënderojnë” UEFA-n, fitojnë një milion euro më shumë se i përjashtoi Zenitin

Milani dhe Interi “falënderojnë” UEFA-n, fitojnë

Milani dhe Interi kanë përfituar një shumë jo edhe aq modeste nga vendimi i fundit i UEFA-s që ka përjashtuar klubet ruse nga aktivitetet ndërkombëtare për sezonin e ardhshëm. Gjithçka ka lidhje me Zenitin dhe me pozicionin në renditjen historike të UEFA-s, nga e cila përllogariten të ardhurat e të drejtës TV për klubet pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve.

Zenit mban vendin e 24 në renditjen e UEFA-s që merr parasysh 10 vitet e fundit, kundrejt vendit të 26 të zikaltërve dhe atij të 27 të kuqezinjve. Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga “Calcio e Finanza”, largimi i rusëve, bën që të dy klubet italiane të ngjitin nga një shkallë më lart në hierarkinë e kësaj renditje e si rrjedhoje edhe përfitimet financiare.

Sipas përllogaritjeve, që në start Interi do të përfitonte 13,6 milionë euro, ndërsa Milani pak më shumë se 12,5 milionë euro. Kjo shifër është rreth një milion euro më e lartë për secilin klub se sa ajo që do të përfitonte me Zenitin e pranishëm në këtë kompeticion.