SPORT, 16 Shkurt 2022, 22:13

Mançester Junaitid ndahet në klane, lojtarët anglezë nuk e duan lider Ronaldon

Mançester Junaitid ndahet në klane, lojtarët anglezë nuk e

Te Mançester Junaitid ka diçka që nuk shkon. Edhe pse “djajtë e kuq” fituan në ndeshjen e prapambetur me Brighton, situata në dhomat e zhveshjes nuk është dhe aq e qetë madje sipas “Bild” është shumë e keqe.

Prestigjozja gjermane shkruan se te Mançester Junaitid skuadra është ndarë në klane që po luftojnë në mënyra indirekte njëra-tjetrën teksa në qendër të polemikave është Kristiano Ronaldo.

Siç shkruan “Bild”, lojtarët anglezë si Maguire që është dhe kapiteni bashkë me Sanço, Rashford e më parë edhe Grinvud nuk e durojnë dot idenë dhe mënyrën sesi Ronaldo kërkon të udhëheqë grupin përmes lojtarëve të tjerë portugezë, Dalot e Bruno Fernandes.

Situata është shumë delikate dhe rezultatet e ndeshjeve të ardhshme do të tregojnë nëse me të vërtetë Mançester Junaitid e mori veten apo problemet dhe klanet mund të përkeqësojnë gjendjen dhe rezultatet në fushë.