TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një heshtje që flet më shumë se çdo deklaratë publike. Interi po përgatit me kujdes lëvizjen e radhës për të sjellë në Milano Ademola Lukmanin, yllin e Atalantës dhe një nga objektivat kryesorë të merkatos së kësaj vere. Megjithëse situata në dukje ndodhet në një fazë “reflektimi”, në prapaskenë gjithçka është shumë më dinamike sesa duket.
FUNDI I HISTORISË- Historia mes Lukmanit dhe Atalantës ka marrë fund shumë kohë më parë. Ndërprerja e vërtetë ndodhi pas ndeshjes Atalanta–Bryzh, kur trajneri Xhan Piero Gasperini e quajti publikisht sulmuesin nigerian “goditësi i penalltive më i keq që ka parë ndonjëherë”, pas një penalltie të humbur që mund të rikthente shpresat për kualifikim. Reagimi i Lukmanit ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. “Të sulmohesh publikisht në atë mënyrë nuk është vetëm lënduese, por thellësisht e pafalshme”, shkroi ai në rrjete sociale. Ky episod, i shoqëruar me tensionet e verës së kaluar kur iu mohua një transferim te PSG dhe u përjashtua përkohësisht nga grupi, e përfundoi çdo lidhje të sinqertë mes lojtarit dhe klubit. Për ta qetësuar situatën dhe për të përfunduar sezonin, drejtuesit i premtuan një largim në fund të sezonit, premtim që Lukmani tani kërkon të realizohet, pa krijuar tensione të mëtejshme.
VENDOSMËRIA E INTERIT- Interi ka bërë një ofertë fillestare prej 40 milionë eurosh, e refuzuar nga Atalanta që kërkon 50 milionë. Megjithatë, agjentët e lojtarit janë të bindur se, nëse kjo ofertë do të kishte ardhur nga jashtë Italisë, ajo do të ishte pranuar menjëherë. Pavarësisht refuzimit të parë, strategjia e drejtuesve zikaltër, Piero Ausilio dhe Bepe Marota është e qartë, durim dhe qasje diplomatike, për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Atalantën dhe njëkohësisht për të kënaqur dëshirën e lojtarit. Në prapaskenë, Interi po përgatit një ofertë të re. Kjo lëvizje e dytë është e mundur falë të ardhurave të reja nga shitjet e Stankoviç te Bryzhi për 10 milionë euro, Bjukenan te Vijareali për 9 milionë dhe Taremi, i cili pritet të largohet me destinacion Premier Ligën ose Botafogo.
MË SHUMË SE DËSHIRË- Ademola Lukman nuk është thjesht një emër i listës. Ai është prioriteti absolut i Kristian Kivu, i cili e ka vendosur mbi çdo përforcim tjetër, madje edhe mbi një qendërmbrojtës. Shpejtësia, depërtimi dhe instinkti i golit që ai sjell janë cilësi që mund të ndryshojnë fatin e një skuadre si Interi, që synon të vazhdojë dominimin në Serinë A dhe të shkëlqejë në Europë. Tifozët presin, drejtuesit kalkulojnë, dhe Ademola Lukman është gati të bëhet ëndrra e re e “San Siros”0. Heshtja që ka zgjatur këto ditë, në fakt, mund të sjellë shumë shpejt një bum të madh në merkato.