TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Titulli numër 31, i dhjeti radhazi, Bajerni i Mynihut nuk ndalet në Gjermani dhe trofeun e radhës e feston në një ndeshje kundër Borussia Dortmund në “Allianz Arena”.
Bavarezët triumfuan me rezultatin 3-1 dhe ngritën trofeun. Skuadra e Nagelsmann e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike, duke e zhbllokuar rezultatin me Gnabry (15').
Pas një goditjeje këndi, gjermani me një goditje fluturimthi shtangu Dortmund dhe kaloi Bayern në avantazh. I njëjti lojtar shënoi edhe në minutën e 30-të, por VAR ia prishi festën për një pozicion jashtë loje.
Gjithsesi, Bajerni i Mynihut në pjesën e parë shënoi edhe golin e dytë, me anë të të zakonshmit Robert Levandovski (34'). 2-0 u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes.
Emre Can ngushtoi rezultatin (52', me penallti), por bavarezët titullin donin ta festonin me fitore dhe shënuan edhe golin e sigurisë me Musiala (83'). 3-1 dhe Bayern më pas nisi festën së bashku me tifozët.
Bayer Leverkuzen është rikthyer në vendin e tretë në klasifikim, pasi bëri detyrën dhe fitoi me rezultatin 4-1 kundër Greuther Furth të rënë nga Bundesliga. “Aspirinat” u befasuan në minutën e pestë kur shënoi Willems, por tre minuta zgjati festa dhe Schick barazoi.
Azmoun kaloi në epërsi Leverkusen, ndërsa në pjesën e dytë realizuan edhe Paulinho dhe Palacios. RB Leipzig u shtang në shtëpi nga Union Berlin në fund me rezultatin 1-2. Poulsen shënoi për “Demat”, por miqtë reaguan dhe Michel e Behrens në fund përmbysën gjithçka.
Freiburg nuk përfitoi dot, pasi barazoi 3-3 kundër Borussia M’Gladbach. Miqtë kaluan në epërsi të dyfishtë për 13 minuta, por në minutën e 80-të vendasit e kthyen ndeshjen në 3-2. Stindl në shtesë u hoqi fitoren nga duart. Në barazim përfundoi edhe Eintracht Frankfurt-Hoffenheim, kurse Koln mposhti 3-1 Arminia Bielefeld dhe mban veten në garë për kupat e Europës.