TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Federata Italiane e Futbollit ka marrë vendimin: Gennaro “Rino” Gattuso do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane. Burime pranë FIGC bëjnë të ditur se marrëveshja me ish-mesfushorin legjendar është në përfundim, ndërsa prezantimi zyrtar pritet të ndodhë brenda fundjavës së ardhshme.
Presidenti i Federatës, Gabriele Gravina, synon ta finalizojë gjithçka brenda ditës së hënë, ndërsa Gattuso ka zhvilluar disa takime intensive në ditët e fundit me drejtuesit më të lartë të futbollit italian.
Kontrata e re do të ketë të njëjtat kushte financiare si ajo e ish-trajnerit Luciano Spalletti – një pagë që nuk i kalon 2 milionë euro në vit, me afat deri në përfundimin e Kupës së Botës 2026.
Rikthimi i frymës fituese të Italisë kampione bote 2006 është në zemër të projektit të ri teknik. Pranë Gattusos, në stafin e kombëtares do të jenë Leonardo Bonucci, Andrea Barzagli, Gianluca Zambrotta dhe Simone Perrotta, figura të shquara të historisë së “azzurrëve”.
Ndërkohë, është zyrtarizuar emërimi i Gianluigi Buffon si drejtor sportiv i ekipit përfaqësues – një tjetër simbol i asaj epoke të lavdishme.
Në strukturën teknike do të përfshihet edhe ish-trajneri Cesare Prandelli, i cili do të ketë fokus zhvillimin e ekipeve të moshave dhe bashkëpunimin me akademitë. Ai nuk do të ketë rol drejtues mbi Gattuson, por do të kontribuojë në ndërtimin e një vizioni afatgjatë për ringritjen e futbollit italian.