SPORT, 13 Qershor 2025, 20:40

Barcelona rikujtohet për Niko Uilliams, takim me menaxherin dhe “asist” nga Lamin Jamal

Barcelona rikujtohet për Niko Uilliams, takim me menaxherin dhe

Barcelona rizgjon interesimin për Niko Uilliams, i harruar thuajse plotësisht nga katalanasit që pas verës së kaluar dhe problemeve financiare që ata nuk po arrijnë të lënë pas krahëve pavarësisht sukseseve sportive në fushën e lojës.

Katalanasja “Sport” ka bërë të ditur se sot ka pasur një takim mes drejtorit sportiv të katalanasve, Deko, si dhe menaxherit të lojtarit, Feliks Tainta. Në këtë takim është shqyrtuar mundësia e rihapjes së diskutimeve të lëna në mes gjatë vitit të kaluar për lojtarin, i cili ka marrë oferta të rëndësishme nga klube të tjera të njohura europiane.

Barcelona po shqyrton opsionet, duke pasur parasysh se Bajerni dhe Arsenali janë të gatshme të paguajnë klauzolën prej 62 milionë eurosh të Atletik Bilbaos për futbollistin, por nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për rrogën, pasi pretendimet e tij janë të larta.

Pasi lajmi për këtë takim u përhap në mediat spanjolle, Lamin Jamal postoi në rrjetet sociale një foto të tijën me sulmuesin e Bilbaos ndërsa festonin së bashku një gol me fanellën e Spanjës. Një “asist” që ka ndezur entuziazmin e tifozëve katalanas, edhe pse ky transferim llogaritet të jetë shumë më i vështirë se ai i Dani Olmos një vit më parë që u shoqërua me peripeci të panumërta.