SPORT, 14 Qershor 2025, 11:29

Frank, trajneri i ri i Totenhemit që frymëzohet nga filmi “Moneyball”

Frank, trajneri i ri i Totenhemit që frymëzohet nga filmi

Thomas Frank do të jetë pasuesi i Ange Postecoglou te Totenhemi, pasi tekniku australian u shkarkua në fillim të këtij muaji, pavarësisht se udhëhoqi “Spurs” drejt fitores në finalen e Europa League.

Tre vite është kontrata e firmosur nga 51- vjeçari danez, i cili vjen nga Brentford dhe numëron 317 ndeshje në krye të kësaj skuadre, me ekipin që ka marrë mesatarisht 1.51 pikë për ndeshje. “Spurs” arritën një marrëveshje për ta rrëmbyer atë nga të ashtuquajturit “Bees”, duke paguar 10 milionë sterlina. Shkurt, te Totenhemi është gati të lindë një epokë e re. Në çdo kuptim. Sidomos duke marrë parasysh se çfarë Frank ka përfaqësuar për futbollin anglez dhe atë evropian, që kur përfundoi në qendër të vëmendjes. Ai është menaxheri, që përdori të ashtuquajturën “Metoda Moneyball” te Brentford.

Një strategji tregu që merr emrin nga filmi “Moneyball” i vitit 2011 me protagonist Brad Pitt. Në këtë film, aktori i famshëm amerikan është menaxheri i përgjithshëm i një skuadre në vështirësi në MLB, liga kryesore amerikane e bejsbollit. Dhe për të ngritur ekipin, që është më pak i pasur se konkurrentët, përdori një model të veçantë të rekrutimit të lojtarëve në treg: shfrytëzim i të dhënave, statistikave e përqindjeve, aq sa arriti në garën për titull mes skepticizmit të përgjithshëm dhe pas vështirësive fillestare. Frank te Brentford përdori një qasje të ngjashme në një klub futbolli, që ishte shumë i veçantë. Edhe për vendimin unik në llojin e vet, për të mbyllur akademinë për shkak të pakënaqësisë në raportin kosto-përfitim, duke ndërtuar më pas një skuadër B, që përfshin lojtarët e spastruar nga klubet e mëdha.

“Në futboll, 70% e suksesit është buxhet, 20% njohuri dhe 10% fat. Shpresojmë të kapërcejmë hendekun me njohuritë tona, dhe pastaj duhet të lutemi për pak fat…”: me këto fjalë shpjegoi tekniku danez, thelbin e mendësisë së tij, në një intervistë të vitit 2021 për Sky Sports. E në fakt, nën drejtimin e Frank, Brentford e ka përdorur gjerësisht, sidomos komponentin e dytë: njohurinë. Dhe me pak fat që nuk prish punë kurrë, duke pasur edhe faturën e pagave të parafundit në Premier League gjatë sezonit 2024-2025, përpara vetëm Ipsuiç Toun. Tashmë nuk pritet gjë tjetër vetëm të shihet sesi do ta aplikojë strategjinë e tij, edhe te një klub i kalibrit më të lartë, siç është Totenhem, ku Frank do të debutojë edhe në Champions League.