SPORT, 8 Gusht 2023, 09:10

DETAJET/ Partizani shkon tri ditë para në Letoni, Zekiç pret Hadrojn deri në fund

DETAJET/ Partizani shkon tri ditë para në Letoni, Zekiç pret

Partizani ka zhvilluar ditën e djeshme stërvitjen e fundit në vendin tonë. Rreth orës 00:20 skuadra e kuqe është nisur nga aeroporti i Rinasit drejt Letonisë me një avion “charter”, për të mbërritur në Riga rreth orës 3:00. Kështu, të kuqtë kanë vendosur të mbërrijnë në Letoni rreth tri ditë para ndeshjes.

Ky vendim nga klubi është bërë me dije se është marrë për shkak se stafi i ekipit nuk dëshiron të përballet me asnjë surprizë dhe që skuadra të ambientohet me kushtet atmosferike dhe aspektet e tjera.

Gjithashtu, largësia ka qenë një tjetër arsye përse të kuqtë kanë vendosur të shkojnë në Riga më parë seç pritej dhe seç kanë bërë në përballjet e shkuara në transfertë.

STËRVITJA DHE DYSHIMET – Zekiç ka drejtuar paraditen e djeshme stërvitjen e fundit në vendin tonë, ku edhe ka analizuar kundërshtarin dhe ka ndërtuar skemat në lidhje me lojën që do të zhvillojnë ndaj Valmierës.

Stafi teknik dhe lojtarët kanë parë të gjithë sfidën e fundit të letonezëve ndaj skuadrës së METTA-s dhe kanë vënë edhe pika mbi “i”, duke parë pikërisht skuadrën që do të kenë përballë të enjten në stadiumin “Skonto”, duke nisur nga ora 19:00 me orën tonë.

Ndërkohë Andi Hadroj, mbrojtësi i djathtë i të kuqve, ka shfaqur përmirësim sa i përket kontraktimit muskulor të pësuar së fundmi, por ende nuk e ka të sigurt praninë e tij nga minuta e parë ndaj Valmierës.

Ndërkohë, mungesa të sigurta për këtë sfidë janë Saliu Sembene, i cili theu krahun dhe Alfred Mensah, i operuar vetëm së fundmi prej apendicitit. Pjesa tjetër e skuadrës janë të gjithë të gatshëm.