SPORT, 7 Gusht 2023, 09:14

Partizanin e “mbysin” dëmtimet/ Hadroj mungon në stërvitje, thyen krahun edhe një titullar

Partizanin e “mbysin” dëmtimet/ Hadroj mungon në

Pas një starti perfekt sa u përket problemeve fizike dhe dëmtimeve, Partizanin duket se në ditët e fundit ka nisur ta ndjekë fati i keq. Gjithçka nisi me operimet e Gjergji Kotes dhe Alfred Mensahut, por duket se nuk ka mbaruar me kaq.

Dje paradite skuadra e kuqe zhvilloi stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e datës 10 ndaj Valmierës, shumë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës në Ligën e Konferencës, ku synimi që në fillim ka qenë dhe është kalimi në grupe.

SEMBENE – Gjithsesi, duhet thënë se pengesat janë të shumta dhe dëmtimet janë shndërruar në një prej tyre. Ditën e djeshme gjatë stërvitjes Saliu Sembene ka thyer sërish krahun e majtë, vetëm pas rreth një muaji pasi ishte shëruar nga thuajse i njëjti problem. Fati i keq duket se nuk i ndahet senegalezit, i cili ditën e djeshme në stërvitje ka rënë keq dhe ka pësuar një frakturë në krah.

Mbrojtësi i është nënshtruar trajtimi, duke e vënë dorën në allci.

Fatmirësisht këtë herë ai ka shmangur operacionin, që do ta detyronte të qëndronte më gjatë jashtë fushave. Kështu, pritet që rreth mesit të muajit të ardhshëm, Sembene të kthehet i gatshëm. Në këtë start sezoni, ai arriti të fitojë besimin e trajnerit Zekiç, që e aktivizoi titullar në dy sfidat ndaj BATE Borisovit.

HADROJ – Gjatë stërvitjes së të premtes, mbrojtësi i djathtë reklamoi një problem muskulor. Pas ekzaminimeve, ka rezultuar se pukjani ka pësuar një kontraktim në kofshë. Në dy ditët e fundit, Hadroj nuk e ka pasur të mundur të stërvitet me skuadrën dhe i është nënshtruar trajtimeve të fizioterapistëve të klubit për të eliminuar problemin. Gjendja e 24-vjeçarit është përmirësuar, por ende nuk ka garanci maksimale për rikuperimin në kohë para Valmierës.

Edhe pjesëmarrja në stërvitjen e sotme është në dyshim për pukjanin, teksa pas konsultës me mjekët do të vendoset në lidhje me ecurinë e rikuperimit.

Mungesa e Hadrojt do të ishte një goditje e rëndë për Zekiçin, por shpresat për ta pasur në Letoni janë të mëdha, pas lajmit se nuk ka tërheqje, por vetëm një kontraktim të ardhur nga stërvitjet me ritëm dhe ndeshjet me intensitet. Sa i përket formacionit, nëse mungon Hadroj, Sota është një opsion për krahun e djathtë, pozicion që e ka mbuluar tek Apolonia.