SPORT, 13 Prill 2022, 23:03

Champions League/ Pritej të ishte formalitet ndaj Benfikës, por Liverpuli shkon në gjysmëfinale me vështirësi

Champions League/ Pritej të ishte formalitet ndaj Benfikës, por

Duhet të ishte vetëm një formalitet, por Liverpuli ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinalen e Champions League me vështirësi kundër Benfikës. Ekipi i Klop u ndal në një barazim 3-3, por falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë arriti të triumfonte me rezultatin e përgjithshëm 6-4.

Kështu anglezët kualifikohen në gjysmëfinale ku do të ndeshen përballë Villarrealit që eliminoi në mënyrë surprizë Bajernin e Munihut.

Kjo sfidë mendohej se do të ishte një ndeshje pa shumë histori. Ekipi i Klopp pritej ta kishte thjesht një formalitet këtë takim dhe mendimi i forcua edhe më shumë kur Konate i dha avantazhin Liverpulit që po dominonte takimin.

Megjithatë, Benfika arriti të reagonte dhe gjeti rrugën e rrjetës me Nunez, por anësori sinjalizoi për pozicion jashtë loje. Pranë golit do të shkonte edhe Luis Diaz, por portieri Vlachodimos nxori nga repertori i tij një super pritje për të mbajtur rezultatin e pandryshuar.

Benfika surprizoi në minutën e 32-të kur Ramos gjeti edhe golin që vendosi baraspeshën. Gjyqtari priti edhe konfirmimin e sistemit VAR për të akorduar më pas se çdo gjë ishte e rregullt.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në fundin e saj edhe Naby Keita provoi me një predhë nga jashtë zone, por topi kaloi ngjitur me shtyllën.

Në pjesën e dytë, Liverpuli mori sërish në dorë fatin e vetë duke shënuar edhe dy gola të shpejtë me anë të Roberto Firmino. Sulmuesi brazilian i shpëtoi dy herë mjaft mirë mbulimit të mbrojtjes duke e çuar rezultatin në 3-1.

Megjithatë, Benfika ngushtoi diferencat, me anë të Roman Yaremchuk. Pas një pasimi mjaft të bukur të Grimaldo, ukrainasi doli i vetëm përballë portierit dhe nuk fali duke i fiksuar shifrat në 3-2. Në minutën e 83, Benfika gjeti edhe golin që vendosi sërish baraspeshën. Këtë herë ishte radha e ylli të ekipit Darwin Nunez për të vendosur emrin e tij në tabelën e lojtarëve që shënuan.

Në minutat e mbetura të takimit u prodhuan edhe disa raste të tjera shënimi, por asnjë nga lojtarët nuk finalizoi dot në gol aksionin. Kështu sfida përfundoi me rezultatin 3-3 me Liverpulin që kalon në gjysmëfinale ku do të ketë përballë surprizën e bukur të këtij kompeticioni, Villarreal.