TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vllaznia shkon në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë pasi mposhtën Partizanin pas ruletës së 11-metërshave (5-4). 90 minutat e rregullta të takimit përfunduan në paqe me rezultatin 1-1, ndërsa për të caktuar ekipin finalist lindi nevoja për penalltitë.
Fati i buzëqeshi shkodranëve që u treguan më të saktë nga pika e bardhë, ndërsa Xhuliano Skuka ishte i vetmi lojtar që humbi një 11-metërsh. Finalja e madhe kështu do të luhet midis Laçit dhe Vllaznisë.
Nuk ka nevojë për Partizanin që të studiojë lojën e kundërshtarit, por hidhet menjëherë në sulm për të gjetur golin e avantazhit. Pikërisht tri minuta nga fillimi i takimit Esat Mala kalon “demat” në avantazh pas një kombinimi të bukur së bashku me Kallakun e Skukën.
Partizani do të vazhdonte me një tjetër marsh në fillimin e takimit, ndërsa dy minuta pas golit do të godiste edhe tranversën, ndërsa porta e Zogovic do të kërcënohej vazhdimisht nga Kallaku e Mala, por pa arritur dot të ndryshonin rezultatin.
Në tentativën e parë të rrezikshme, Vllaznia do të gjente edhe golin e baraspeshës me anë të Ante Aralica (27'). Kroati provoi me një goditje të bukur, ndërsa devijimi i topit e ndihmoi atë të mposhte edhe portierin Hoxha.
Duket se goli i zgjoi shkodranët që filluan të depërtonin në zonën kundërshtare për të rrezikuar portën e Hoxhës. Fillimisht ishte Jonuzi e më pas një devijim i gabuar i Hadrojt që detyruan Hoxhën të mos lejonte topin të shkonte në rrjetë.
Kështu në shifrat 1-1 përfunduan edhe minutat e rregullta të takimit, ndërsa për të vendosur finalistin e dytë të Kupës së Shqipërisë lindi nevoja për kohën shtesë.
30 minutat shtesë prodhuan sërish disa raste të mira për shënim, por lodhja në këmbët e lojtarëve dukej qartazi. Aralica krijoi iluzionin e një goli, ndërsa Partizani falë një gabimi në mbrojtjen e Vllaznisë i’u afrua golit, por pa sukses.
Sakaq, koha shtesë nuk mjaftoi për të vendosur finalistin e Kupës së Shqipërisë dhe lojtarët iu drejtuan 11-metërshave për të vulosur edhe ekipin e kualifikuar.
Nga pika e bardhë u treguan më të saktë shkodranët që nuk gabuan asnjë nga 5 penalltitë. Partizani sakaq u “tradhtua” nga Xhuliano Skuka që humbi penalltinë e parë për “demat e kuq”, mjaftueshëm për t’i mbajtur larg finales së madhe.
KUPA E SHQIPËRISË – GJYSMËFINALJA E KTHIMIT
Vllaznia – Partizani 1-1 (5-4 pas penalltive) (0-0)
Shënues: Aralica 27’ / Mala 3’