SPORT, 13 Prill 2022, 23:14

Champions League/ Mançester Siti kalon me vuajtje Atletikon e Madridit, në gjysmëfinale e pret Reali

Champions League/ Mançester Siti kalon me vuajtje Atletikon e Madridit,

Me shumë vuajtje, Mançester Siti ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League pasi u ndal në një barazim pa gola në “Wanda Metropolitano” ndaj Atletiko Madrid. Mjaftoi goli i Kevin De Bruyne në ndeshjen e parë (të fituar 1-0), për t’u dhënë mundësinë “qytetarëve” të kalojnë në fazën tjetër, ku do të gjejnë përballë Real Madridin e Ançelotit.

Si Atletiko ashtu edhe Mançester Siti e nisën qetë takimin për të studiuar më mirë edhe lëvizjet e kundërshtarit. Hapësirat sakaq mungonin për meritë edhe të dy ekipeve që e kishin përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje. Atletico u përpoq të përfitonte me anë të ndonjë kundërsulmi të shpejtë, por në asnjë rast spanjollët nuk arritën dot të konkretizonin aksionet e nisura.

Nga ana tjetër, Mançester Siti u shfaq rrezikshëm ndërsa shansi i artë për “qytetarët” erdhi në minutën e 30-të. Ilkay Gundogan mori një pasim mjaft të mirë në brendësi të zonës, por goditja e tij u ndal nga shtylla. Edhe tentativat e tjera të Cityt u ndalën, me mbrojtësit e Simeones që u kthyen në mur, duke i mbyllur 45 minutat e para me rezultatin e bardhë 0-0.

Në pjesën e dytë, Atletiko i dha më shumë ritëm lojës së saj duke shtuar edhe presionin ndaj Cityt. Shenjën e parë e dha Griezman që në minutën e parë, ndërkohë që ishte po sulmuesi francez që “qethi” shtyllën me një goditje nga distanca.

Edhe pjesën tjetër të takimit loja foli më shumë në favor të Atletico Madrid duke e mbajtur ekipin e Guardiolës në rrezik konstant. Simeone hodhi në fushë të gjithë “artilerinë” e sulmuesve dhe radha për të kërcënuar portën e Ederson i erdhi Carrascos, Correas, Cunhas e De Paul.

Ndeshja pati dhe shumë tension në minutat e fundit ku Felipe la me 10 lojtarë Atletikon pas një zënke me lojtarët e Mançester Sitit. Kjo nuk i pengoi ata të luftonin deri në sekondat e fundit, por Ederson u kthye në hero pë Sitin me pritjet e tij.

Megjithatë, edhe pse loja foli në favor të Atletikos, rezultati jo. Madrilenët nuk ia dolën dot të finalizonin në gol aksionet duke e mbyllur takimin me rrjeta të paprekura. Kështu falë golit të shënuar në shtëpi, Siti ia del të kualifikohet në gjysmëfinale, ku do të ketë përballë rekordmenët absolut të Real Madrid.