SPORT, 16 Shkurt 2022, 23:07

Champions League/ Interi mjaftohet me lojën e bukur, Liverpuli shënon golat. Salzburgu ndal Bajernin

Champions League/ Interi mjaftohet me lojën e bukur, Liverpuli shënon

Liverpuli mposht 2-0 Interin në duelin e parë të 1/8 ave në “San Siro” dhe hedh një hap të madh drejt çerekfinaleve të Champions League.

Dy gola brenda tetë minutash: Firmino (75’) dhe Salah (83’) i siguruan një fitore komode “Të Kuqve” të Jurgen Klop, për ta pritur ndeshjen e kthimit më të qetë.

Zikaltërit treguan një lojë shumë të mirë dhe dominuan në pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj anglezëve.

Në minutën e 15-të, Çalhanollu bëri gjithçka vetë dhe gjuan drejt portës, por tentativa e tij ndalet nga traversa, duke i mohuar golin Interit.

Në të 60′, Xheko shënoi pas një topi nga thellësia, por më pas u sinjalizua në pozicion jashtë loje.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme, Bajerni i Munihut shmangu humbjen në minutën e fundit të kohës së rregullt, duke barazuar 1-1 me austriakët e Salzburg. 

Adamu realizoi në minutën e 25-të për Salzburgun, ndërsa barazoi Koman në minutën e 90-të. Gjithçka mbetet e hapur në ndeshjen e kthimit në "Allianz Arena", në Munih.