SPORT, 31 Tetor 2022, 09:23

Arbitri u godit me gurë në kokë, reagon trajneri i ekipit të Kategorisë së Dytë: Nuk akordoi penallti, ndihemi të persekutuar

Arbitri u godit me gurë në kokë, reagon trajneri i ekipit të

Incidenti i djeshëm në stadiumin e Delvinës, ku u godit arbitri nga Fieri, Xhulio Agolli, ka mërzitur jo pak trajnerin Arjan Guga, i cili prej kohësh drejton skuadrën jugore.

Ai ka reaguar për “Panorama Sport” duke treguar gjithçka ndodhi derisa u mor vendimi për ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes.

“Kur gjithçka ishte korrekte dhe ekipet po luanin futboll, duke shfaqur grintë sportive pa kaluar limitin, një penallti e padhënë prishi gjithçka.

Në minutën e 60-të ekipit tonë iu mohua një 11-metërsh i pastër, kur ndaj futbollistit Kaio u ndërhy në mënyrë të parregullt në zonë.

Lojtarët e mi kërkuan penallti, por arbitri jo vetëm që nuk akordoi diçka të tillë, por ndëshkoi për simulim lojtarin tonë.

Ka pamje filmike shumë të qarta për rastin dhe prandaj më vjen keq që të prishej ndeshja ashtu dhe të acarohej situata më kot. Kjo u reflektua edhe te reagimi i tifozëve.

Unë mendoj se ekipet pretendente kërkojnë të marrin pikë në çdo mënyrë, pasi na konsiderojnë klub të vogël dhe ndihemi si të persekutuar.

Si trajner jam kundër dhunës, sepse futbolli është sport që na lidh dhe ofron të gjithëve”, është shprehur trajneri i Delvinës.