TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndërhyrja kirurgjikale e kryer në fund të majit vijon ta mbajë larg fushave, por Zlatan Ibrahimoviç është shumë i përpiktë për sa i përket rikuperimit të tij. Çdo ditë stërvitet në palestër dhe ndjek seanca rehabilituese, teksa rikthimi i tij do të ndodhë në fillim të vitit 2023. Ibra mezi pret, por e di që në këto raste nevojitet shumë durim. 41-vjeçari ka dhënë një intervistë për rrjetin “CNN” duke zbuluar më shumë mbi situatën e tij dhe objektivat për të ardhmen.
Çfarë ndieni tani që jeni larg fushave?
Kam një pasion të madh për lojën time. Tani kam një situatë ndryshe me moshën time dhe me shokët e skuadrës që kam, por kënaqem çdo ditë sepse mendoj se kur të ndaloj së luajturi futboll, do të më mungojë aq shumë sa nuk dua që të kem ndonjë peng duke thënë se duhet të kisha vijuar të luaja.
Çfarë mendoni për shokët më të rinj në moshë që keni në skuadër?
Po përpiqem të qëndroj në nivelin e këtyre djemve të rinj duke punuar shumë dhe duke mbajtur ritmin. Ata më bëjnë të ndihem edhe më konkurrues.
Keni menduar për daljen në pension?
Dua të jem i shëndetshëm dhe, për sa kohë që jam në atë nivel, do të vazhdoj të luaj për të parë se sa larg mund të shkoj. Për sa kohë që mund të jap rezultate, do të vazhdoj të luaj. Ditën që unë ngadalësoj shpejtësinë, dua që njerëzit përreth meje të jenë të sinqertë dhe të thonë se po ngadalësohem dhe atëherë unë do të jem realist.
Si e keni përjetuar dëmtimin e gjurit?
Kam zbrazur gjurin me shiringa një herë në javë për gjashtë muaj. Ilaçe kundër dhimbjeve çdo ditë për gjashtë muaj. Mezi kam fjetur për gjashtë muaj nga dhimbjet. Kurrë në jetë nuk kisha vuajtur kaq shumë brenda dhe jashtë fushës.
Çfarë e shtyn një kampion si ju të bëjë gjithë këto sakrifica?
Mendoj se në rastin tim ndikon fakti që dua të përmirësohem çdo ditë. Unë kam mentalitetin që nëse nuk punoj aq sa duhet, nuk ndihem mirë. Dhe unë mendoj se kjo të çon larg, në një nivel ku sfidoni trupin sepse ka të bëjë me sfidimin e vetes.
Sa larg mund ta shtyni trupin tuaj? Janë pyetje që më mundojnë edhe sot e kësaj dite. Çfarë kujtoni nga dëmtimi i parë te Junajtidi? Ishte lëndimi im i parë i madh, kështu që gjithçka ishte e re për mua. Pra, nuk e dija realisht se çfarë më priste kur u gjenda në atë situatë. Në fillim isha pak i frikësuar sepse nuk e dija nëse mund të kthehesha apo çfarë do të ndodhte. Por dalëngadalë u përballa me situatën dita ditës. Ishte më shumë një çështje mendore: duhej të qëndroja i qetë, të isha i durueshëm dhe, le të themi, të bëja një stërvitje të mërzitshme.
Çfarë dallimesh mes Anglisë dhe Serisë A?
Paratë sjellin mundësi. Por kjo e bën edhe emocionuese sepse bëhet sfidë për klubet italiane të mposhtin klubet e tjera të huaja. Ne jemi ende lojtarë profesionistë dhe topi është ende një gjë e rrumbullakët për të gjithë dhe të gjithë po bëjmë të njëjtën gjë.