TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reali i Madridit ka kaluar me sukses provën e parë në çerekfinale në Champions përballë Çelsit dhe sonte në mbrëmje do të kthehet të luajë në La Liga përballë Kadizit. Trajneri, Karlo Ançeloti ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku dy nga pikat më të rëndësishme kanë pasur të bëjnë me të ardhmen e tij si dhe me Ligën e Kampioneve. Italiani nuk ka ngurruar të thumbojë klubet angleze, që përtej spektaklit në Premier, duken se e kanë humbur shkëlqimin e tyre në Europë. Sa për të ardhmen, Ançeloti ka lënë të kuptohet se dëshira e tij është të vijojë edhe në sezonin e ardhshëm nën drejtimin e “los blancos”.
E ARDHMJA DHE PEREZ – “Unë mendoj se unë dhe presidenti kemi të njëjtin mendim. Mendoj se ai dëshiron që unë të përmbush kontratën që kam me Realin deri në vitin 2024. Rëndësi ka të shohim përpara dhe që Reali të vazhdojë të fitojë. Unë personalisht dua të respektoj kontratën që kam”.
CHAMPIONS-I DHE ANGLEZET – “Fakti që në Angli e vendosin gjithnjë Sitin favorit absolut për të fituar Ligën e Kampioneve nuk më shqetëson aspak. Futbolli anglez ka skuadra që konkurrojnë shumë mirë me lojtarë të një niveli tepër të lartë. Nuk më habit që skuadrat angleze janë favoritet në parim. Por mos harroni, vitin e kaluar futbolli spanjoll çoi dy skuadra në gjysmëfinale të Championsit. Ne e fituam më pas. Këtë vit futbolli italian ka futur tri skuadra në çerekfinale… Futbolli europian është më konkurrues sesa mendojnë shumica, sidomos anglezët, të cilët besojnë se kanë ligën më spektakolare në botë, por kur vijnë në Europë, ata konkurrojnë kundër ekipeve që kanë më pak para, por megjithatë konkurrojnë”.
KRENAR PËR REALIN – “Kjo është një pyetje jo shumë e lehtë për t’iu përgjigjur. Por në tërësi do të thosha se jam krenar për gjithçka në këtë klub. Personalisht jam krenar me skuadrën që drejtoj. Të punosh me këta lojtarë është kënaqësi”.
HALAND PËR VINICIUSIN? – “Po flasim për dy lojtarë të mrekullueshëm. Të dy janë të shkëlqyer. Unë kam Viniciusin dhe jam shumë i lumtur me të. Siti po përfiton nga golat e Halandit dhe besoj se ata janë të lumtur me Erlingun. Secili prej nesh ka lojtarin e duhur në përbërje”.
KRITIKAT – “Jam një trajner që i dëgjoj kritikat dhe besoj se është diçka normale. Ne jetojmë në një botë ku je i detyruar të dëgjosh çfarë mendojnë njerëzit, çfarë mendon klubi yt, çfarë mendojnë lojtarët që stërvit… Deri këtu gjithçka është brenda rregullave, por ka kritika edhe nga ato që nuk mund t’i kuptosh. Kritikat e vlefshme të ndihmojnë të bëhesh më i mirë. Nga kritikat mund të lindin ide për të përmirësuar punën”.