SPORT, 13 Prill 2023, 09:05

“Pasqyra” e këtij sezoni / Partizani nuk është skuadër fushe, “demat” më të fortë në transfertë

“Pasqyra” e këtij sezoni / Partizani nuk është

Jemi në fazën e katërt dhe kanë kaluar 28 javë, çka do të thotë se mund të bëjmë edhe disa bilance për të zbuluar fytyrën e këtij Partizani. Të kuqtë janë një nga skuadrat më të forta të Superiores, por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë dobësi dhe pika, ku kundërshtari mund t’i godasë më lehtë. Në një përmbledhje të statistikave të të gjithë këtij sezoni në Kategorinë Superiore, Partizani nuk rezulton të jetë një skuadër fushe.

NË SHTËPI Skuadra e Xhovani Kolelës renditet në vendin e dytë, dy pikë larg Tiranës së vendit të parë, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje nga fundi.

Pritej që në shtëpi të kuqtë të ishin një skuadër e pathyeshme, por nuk ka rezultuar kështu, pasi nga 14 ndeshje të luajtura brenda, ata kanë humbur pesë prej tyre dhe kanë barazuar dy, me një përqindje fitoresh prej vetëm 50%.

NË TRANSFERTË Ndryshe nga çfarë pritej, Partizani rezulton të jetë një skuadër më e fortë në fushën kundërshtare. Ky është padyshim një element pozitiv për shkak se rezulton se “demat” nuk tremben jashtë fushe dhe arrijnë të marrin rezultatin e kërkuar.

Ata numërojnë tri humbje nga 14 ndeshje në total, teksa kanë grumbulluar edhe 4 barazime. Gjithsesi, raporti i fitoreve me ndeshjet në total vijon të jetë 50% edhe jashtë fushës.

GOLAT Në javët e fundit ka përmirësime, por në të tërën duhet thënë se Partizani nuk shkëlqen në mbrojtje, pasi ka pësuar 28 gola në total me një mesatare prej 1 goli për ndeshje.

Të kuqtë e kanë mbajtur vetëm 8 herë portën e pastër, të ndara përgjysmë mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë.

Në sulm situata është disi më ndryshe. Kryeqytetasit shënojnë rreth 1.36 gola për ndeshje, teksa në vetëm shtatë përballje nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Interesant është fakti se Partizani shkon më shpejt te goli në ndeshjet në transfertë sesa në betejat në shtëpi. Të kuqve u duhen mesatarisht 33 minuta për të shënuar në stadiumin e tyre, kundrejt 26 minutave në transfertë. Gjithashtu në shtëpi pësojnë më shpejt se në transfertë.