AKTUALITET, 30 Maj 2019, 09:31

SMS-të Rama-Soreca dhe shemja e ndërtesave te Selvia, Manjani-ndërkombëtarëve: Turp e shkuar turpit

SMS-të Rama-Soreca dhe shemja e ndërtesave te Selvia,


Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me dhunën policore gjatë prishjes së pronave tek zona e Selvies në kryeqytet.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manjani shprehet se prishja e pronave mbrëmjen e djeshme ndonëse pronarët janë të pajisur me certifikatë pronësie, është kulmi i anti-kushtetueshmërisë. Sipas Manjanit e gjithë kjo ndodh në momentin kur zbulohet diskutimi privat ‘Rama-Soreca’.

Ish-ministri Manjani ndërsa u bën thirrje qytetarëve të reagojnë sa nuk është vonë, ironizon me ndërkombëtarët, ku shkruan: “Faleminderit që nuk patë drogën dhe nuk shihni qeverisjen më anti-kushtetuese që kemi patur ndonjëherë!

Faleminderit që shpallni fajtorë opozitën që vetëm denoncon dhe nuk shihni asnjë faj tek qeveria që DHUNON!

Po e ndihmoni Shqipërinë sa më ska!

Turp e shkuar turpit!”

Postimi i plotë:

Dyqani te Selvia dhe “ustai” rilindas…

=============

Nëse ka ende ndonjë naiv që beson Kryeministrin kur flet si mbrojtës i Kushtetutës, i sugjeroj të shohë pamjet tsk Selvia mbrëmë.

Të shohë se si policë të shtetit, që paguhen për të mbrojtur pronat e liritë e njerëzve i DHUNOJNË ato!

I dhunojnë hapur, pa ligj, pa proçes të rregullt e pa asnjë masë njerëzore. Media raporton që policia u prishi shtëpinë, pavarësisht se pronarët janë paisur me çertifikatë pronësie.

Ky është kulmi i ANTI – KUSTHTETUTSHMËRISË!

Kjo sjellje ndodhi bash në kohën kur media zbuloi diskutimin privat “kushtetues” Rama – Soreca.

Ja ku e kanë Kushtetutën!

Nga Shkoza tek Unaza, nga Bregu i Lumit tek Selvia, prona rrëmbehet e pronarët dhunohen nga shteti me urdhër verbal.

Kjo është Kushtetuta e sundimit politik të Rilindjes! Kjo kushtetutë sigurisht nuk lejon demokraci e zgjedhje të lira.

Naivët bëjnë mirë të hapin sytë, se kur t’u shkojë policia në derë do jetë shumë vonë..!

Dhe më në fund, Soreca, Mogherini, Hahn, EURALIUS, OPDAT, ONM,OSBE e çka tjetër, Faleminderit shumë!

Faleminderit që nuk patë drogën dhe nuk shihni qeverisjen më anti-kushtetuese që kemi patur ndonjëherë!

Faleminderit që shpallni fajtorë opozitën që vetëm denoncon dhe nuk shihni asnjë faj tek qeveria që DHUNON!

Po e ndihmoni Shqipërinë sa më ska!

Turp e shkuar turpit!

Mbrëmjen e djeshme në zonën e njohur si Selvia, pranë bustit të Vojo Kushit, u prishën disa prona, ku nuk munguan përplasjet mes pronarëve dhe policisë. Pronarët pretendojnë se nuk janë lajmëruar për këtë aksion, ndërsa shprehen se janë të pajisur me certifikatë pronësie.  Nga ana tjetër, pas prishjes së ndërtimeve, reagoi kryebashkiaku Veliaj, i cili tha se u liruar busti i Vojo Kushit.