TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata për Krime të Rënda shtyu për të katërtën herë procesin ndaj grupit të Habilajve, ndërsa shkak është bërë mosmarrja dijeni e të pandehurve, të cilët ndodhen në paraburgim në Itali.
Procesi ndaj Armand Koçerrit, Moisi Habilajt, Florian Habilajt, Nezar Seitit, Armando Sulajt, Maridian Sulajt, Sabaudin Çelajt, Tigrens Mezurajt dhe Fatmir Minajt nisi më 15 prill, por ende nuk është mundur të hapet shqyrtimi gjyqësor.
Gjatë seancës së djeshme, i pranishëm në sallë ka qenë vetëm Armand Koçerri, i vetmi nga grupi në paraburgim në Shqipëri, pasi pjesa tjetër po hetohet dhe gjykohet nga Prokuroria e Katanias.
Gjatë relatimit, Gjykata bëri me dije se një prej anëtarëve të grupit të Habiljave, i cili ndodhej në Itali nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, është arratisur dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Sabaudin Çelaj tha Gjykata, është shpallur sërish në kërkim dhe po punohet për gjetjen e tij.
Ndërkohë në seancën e djeshme, Armand Koçerri kërkoi nga Gjykata që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa kamerat, pasi kjo gjë i krijonte shqetësime familjes së tij, e konkretisht fëmijëve të tij të mitur. Në lidhje me këtë kërkesë të Koçerrit, Gjykata e Krimeve të Rënda do të shprehet në seancën e radhës, që do të mbahet më 11 qershor. Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur në 7 janar se hetimet në lidhje me grupin e Habilajve në Shqipëri ishin mbyllur dhe dosja ishte dërguar në Gjykatë për tri vepra penale.
Konkretisht, Prokuroria i akuzon ata për “Trafik të narkotikëve”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kultivim të narkotikëve”. Por këta persona janë duke u gjykuar edhe në Itali, ndërsa disa muaj më parë është dhënë edhe pretenca. 18 vjet e tetë muaj burg u kërkua për Moisi Habilajn, që konsiderohet nga Akuza si kryesuesi i një karteli të specializuar në importimin e kanabisit. Të bashkëpandehurit shqiptarë, që janë në listën e njerëzve në gjykim në Katania, janë edhe Meridian Sulaj, për të cilin është kërkuar 12 vite dhe 4 muaj burg, kurse për Fatmir Minajn është kërkuar lirimi dhe shfajësimi i tij nga akuzat.
Ndërkohë, Nazer Seiti, i konsideruar si financieri i grupit, rrezikon gjashtë vite burg. Për Antonio Rielën u kërkua 15 vite burg, Angelo Busacca 8 vite burg, Gianluca Passavanti 4 vjet e 20 mijë euro detyrim ndaj shtetit dhe për Gianluca Spampinato 10 vite e 4 muaj burg.
Për të pandehurit William Patane, Fabio Spampinato, Carmelo Bertolino, Enrico Maria Gianquinta, Massimiliano Brundo, Antonio Greco, Giuseppe Greco, e Rosario Giualiani u kërkua 2 vite e 4 muaj burg e 6 mijë euro detyrim ndaj shtetit.