TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Nils Kottman, BILD
Samiti mes presidentit rus, Vladimir Putin (66 vjeç) dhe diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, 35 vjeç, shkaktoi trazim jo vetëm për shkak të bisedimeve rreth programit bërthamor të Phenianit.
Diktatori Kim ka sjellë në takim dy limuzina Mercedes të Daimler- edhe pse atij nuk i lejohet të ketë në pronësi mjete të tilla. Sepse: që nga viti 2013, sanksionet e OKB-së nuk lejojnë më eksportimin e makinave në shtetin mashtrues të Koresë së Veriut.
Makinat janë një Mercedes-Maybach në versionin e shtrirë dhe një Mercedes klasi E, seria W212 aktuale.
Gjatë samitit të vitit të shkuar, diktatori Kim Jong-un u shfaq sërish me makina luksoze, që janë në listën e embargos nga OKB. Në takimin me presidentin Donald Trump në Singapor ai erdhi me një Mercedes të klasit S për stafin e tij.
Në vjeshtën e vitit 2018 ai u shfaq në kryeqytetin e Koresë së Veriut me një Rolls-Royce, përpara se të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Po si kanë mbërritur këto makina luksoze në Korenë e Veriut?
“Nuk ia kemi absolutisht idenë se si janë dërguar në Korenë e Veriut këto makina,” tha zëdhënësja e Daimler, Silke Mockert në një deklaratë për shtyp.
“Sipërmarrja jonë nuk ka marrëdhënie tregtare me këtë vend prej 15 vitesh. Ne i përmbahemi në mënyrë strikte embargove të BE dhe OKB”, vijon deklarata.
Për të penguar dërgimin e makinave të tilla në Korenë e Veriut, Daimler thotë se ushtron kontrolle të eksporteve.
Së paku për versionin e gjatë të Mercedes-Maybach, ai mund të ketë hyrë në mënyrë legale në Korenë e Veriut pasi ky model u prodhua nga viti 2002 deri në vitin 2012, pra përpara embargos së OKB. Kurse modeli E-klas i serisë 212 ka nisur të prodhohet nga viti 2013, pra ka hyrë vetëm ilegalisht në vend.
“Për firmat është thuajse e pamundur të kontrollojnë rrugën e produkteve të tyre,” thotë ish-deputeti Hartmut Koschyk, ekspert i Koresë së Veriut. Ai supozon: “Makinat mund të jenë blerë nga kontrabandistët në Rusi ose Kinë dhe kanë kaluar kufirin. Por kjo është e vështirë të provohet”.
