TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Humbi me Spanjën (3-0) dhe me Italinë (0-1), duke mos shënuar asnjë gol ndaj dy gjigantëve të futbollit botëror, por trajneri Kristian Panuçi është i fiksuar për të ndërtuar një Shqipëri sulmuese.
Në Alikante guxoi të sulmonte Spanjën, ndërsa në Shkodër thuajse e “terrorizoi” Italinë, me rastet e krijuara dhe goditjet në vazhdimësi ndaj De Geas dhe Bufonin, dy prej portierëve më të mirë në botë.
“Jam i kënaqur nga paraqitja e Kombëtares në dy ndeshjet e fundit. Luajtëm mirë ndaj Spanjës, skuadrës më të fortë në botë, ndërsa ndaj Italisë luajtëm si të barabartë, duke krijuar edhe 3-4 raste për shënim”, - tha pasuesi i Xhani De Biazit.
Katër ndeshjet (1F-B-2H) i mjaftuan për të njohur skuadrën dhe eksperimentuar me variante të ndryshme loje, për të krijuar kështu profilin e ri të Kuqezinjve.
“Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do ti luajmë ndeshjet tona me kurajo. Lojtarët më duken të bindur për atë që po bëjmë, skuadra di ta luajë futbollin që kërkoj”, - tha trajneri italian i Kombëtares gjatë konferencës së të tij të sotme për shtyp.
Shqipëria do të luajë dy miqësore në muajin nëntor, dhe Panuçi do të provojë një formacion më dy sulmues.
“Jam i sigurt se kjo skuadër e ka cilësinë që të dalë nga zona e sigurisë dhe provojë të bëjë më tepër përpara”, tha drejtuesi i stolit kuqezi.
Panuçi ka gati edhe një listë lojtarësh të rinj dhe mezi pret t’i ndjekë në kampionatet ku ata luajnë.
“Do të nis udhëtimet për të gjetur lojtarë të rinj. Kam një listë me 10-15 lojtarë që do ti shoh, të cilët luajnë në Gjermani, Greqi, Austri apo Sllovaki ku luajnë disa lojtarë. Duhet të studiojmë gjithçka që mund të na ofrojë Europa. Ky ekip ka nevojë për kualitet.” /d.f/TPZ.al/