AKTUALITET, 30 Prill 2019, 10:44

Vrasja e 53-vjeçares, fqinjët: Dëgjuam zhurmë, shkuam të shihnim, burri na tha mos e prekni se e kanë vrarë


Në fshatin Valagat të Memaliajt mëngjesin e sotëm, në orën 06:00, është gjetur e pajetë në banesë nga familjarët një 53-vjeçare, Antoneta Hoxha. Dyshohet se ajo është vrarë në orën 03:00 të mëngjesit nga burri i saj, Skënder Hoxha. Ky u fundit është shoqëruar në polici.

Vdekja e gruas mund të ketë ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj 53-vjeçares, pasi ajo ka dëmtime në kokë dhe në krahun e majtë. 53-vjeçarja është nënë e 4 fëmijëve.

Çifti kishte ardhur në fshatin Vagalat nga kryeqyteti, ku banonin dhe kohët e fundit kanë pasur debate mes tyre.

Për këtë ngjarje të rëndë një nga banorët e fshatit është shprehur se burri i 53-vjeçares i kishte thënë se gruan ia kishin vrarë. “Dëgjuam zhurmë dhe shkuam të shikonim. Burri i 53-vjeçares na tha mos e prekni se na kanë vrarë. E gjetëm të mbuluar me gjak“, është shprehur Hodo Hoxha, kryeplaku i fshatit.

Por ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes.