AKTUALITET, 30 Prill 2019, 10:23

DW kërkon ndjesë për postimin identik me zyrën e shtypit të Ramës


Seksioni shqip i ‘Deutche Welle-s’ ka kërkuar ndjesë publike nisur nga një publikim i një dite më parë lidhur me takimin e zhvilluar nga kryeministri Edi Rama në Samitin një ditor në Berlin.

Kujtojmë se pasditen e djeshme, DW publikoi fillimisht një status në rrjetet sociale, ku shkruante se takimi në Berlin midis kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama zgjati më pak se 30 minuta.

“Më pak se gjysmë orë kishte Merkel në takimin me Ramën para se në orën 17.00 të përshëndeste Presidentin Francez Macron.

Për Shqipërinë ka shumë rëndësi çelja e negociatave, por momentalisht kjo është e pasigurtë”, shkruante fillimisht DW, mirëpo pak minuta më vonë, ky postim u redaktua, duke ndryshuar kohëzgjatjen e takimit, siç duket edhe në postimin e mëposhtëm.

Ndërkohë, sot në mëngjes, ‘Deutche Welle-s’ ka kërkuar falje publike, duke e cilësuar modifikimin e informacionit si një gabim teknik, pas reagimeve se njoftimi i postuar i përkiste zyrës së shtypit të kryeministrit, Edi Rama.

Postimi:

Korrigjim i një gabimi teknik!

Të nderuar miq të Deutsche Welles!

Me reagimet tuaja dje Ju kishit të drejtë ! Sepse një njoftim i zyrës së shtypit të kryeministrit, Edi Rama është publikuar dje gabimisht në faqen tonë të Facebookut.

Që gabimi është thjesht teknik dhe pas tij nuk fshihen qëndrime të njëanshme politike, këtë e tregon postimi një për një, njoftimi u keqkuptua si njoftim i korrespondentit tonë. Ne asnjëherë nuk do të përdornim publikimet e zyrave të shtypit të politikës si informacione tonat.

Ju kërkojmë ndjesë për këtë keqkuptim!